Intrigë nga Amerika. Hamdi Salihi nuk është zyrtarizuar ende si një futbollist i skuadrës kineze, Jiangsu Sainti FC. Edhe pse më datë 4 shkurt uebsajti i këtij klubi, por edhe nga ish-skuadra e tij, DC Junajtid patën lajmëruar arritjen e akordit mes lojtarit dhe klubit klinez gjithçka mbulohet nga një lajm kontradiktor që vjen nga e përditshmja prestigjioze “Uashington post”. Sipas kësaj të fundit Salihi nuk ka firmosur ende, por vazhdon të jetë në tratativa me kinezët. Arsyeja lidhet me shëndetin e sulmuesit. Pasi ka mbërritur në Turqi, Salihi ka bërë vizitat mjekësore, por drejtuesit e klubit kinez nuk janë bindur tërësisht pasi, sipas “Uashington post”, kanë vërejtur probleme në frymëmarrje (në mushkëritë) e shkodranit.

Kjo ka bërë që klubi kinez të stepet, në pritje të ekzaminimeve të tjera. Sakaq, gazeta është munduar dje që të kontaktojë me Salihin, por sulmuesi ka qenë i padisponueshëm. Jiangsu Sainti FC militon në elitën e futbollit të Kinës dhe është aktualisht nënkampioni i vendit. Kjo është bërë e ditur sot nga gazeta “Panorama Sport” që i referohet homologes së saj shumë të njohur amerikane. Klubi është themeluar në vitin 1958 dhe në pjesën më të madhe ka milituar në kategoritë inferiore në këtë vend. Në dekadën e fundit ka njohur një rritje cilësore. Skuadra i zhvillon ndeshjet në stadiumin “Nanjing Olimpik” me një kapacitet prej 60 mijë vendesh të ulura. President i klubit është Liu Jun, ndërsa trajner Dragan Okuka. Tani renditet në vend të dytë me 54 pikë, 4 më pak sesa lideri i kampionatit, Guangzhou Ever, ekip që drejtohet nga ish-trajneri i Kombëtares së Italisë, Marçelo Lipi. Salihi duhet të zërë vendin e sulmuesit rumun, Kristian Danalashe, i cili ishte golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar.