Tek Ada këtë sezon po spikat çdo ndeshje e më tepër një futbollist i ri. Bëhet fjalë për 20 vjeçarin shkodran Fatjon Kiri. Ky futbollist ka dalë nga Akademia e Adës ndërkohë që sezonin e kaluar ka luajtur në kampionatin kosovar me ekipin e Klinës së Dukagjinit. Tashmë është rikthyer tek ekipi velipojak dhe aty situata duket se ka filluar të përmirësohet kohët e fundit. Me ardhjen e Krepit në krye të saj, gjërat po shkojnë më mirë.
Ka më shumë optimizëm edhe tek futbollistët dhe këtë e ka konstatuar edhe një nga lojtarët më të rinj të ekipit, pikërisht mesfushori- sulmues Fatjon Kiri. “Unë kam luajtur edhe me trajnerin Duli por në fakt,me ardhjen e Krepit në pankinë gjërat po shkojnë më mirë. Më ka dhënë më shumë besim dhe tani ndjehem më lirshëm në fushë. Besoj se edhe skuadra është më mirë tani dhe shpesjt kanë për të ardhur edhe rezultatet pozitive”- ka thënë ai për gazetën. Ekipi ka shfryëtzuar ndërprerjen e kampionatit për të zhvilluar ndonjë ndeshje miqësore por edhe për t’iu përshtatur kundërshtarit të ardhshëm, që është Kastrioti. I pyetur nëse Ada do të fitojë ndaj këtij ekipi në ndeshjen e kësaj fundjave që do zhvillohet në Pukë, Kiri do të përgjigjej kështu: “Ndeshja me Kastriotin është shumë e rëndësishme për ne. Kuptohet që objektivi i Adës do jetë fitorja dhe jo vetëm për këtë takim por përballë çdo kundërshtari me të cilin do luajmë. Profesor Krepi na ka injektuar besimin se mund t’ia dalim për të fituar ndaj çdo ekipi nëse luajmë me dëshirë dhe grintë. Për këtë arsye, edhe ndaj Kastriotit do të tentojmë vetëm fitoren”. Ajo që duhet tashmë është vetëm marrja e pikëve. Skuadra është në vendin e parafundit por me shpresë për t’u ngjitur në renditje. Për ta bërë këtë, duhet fituar sa më shumë përballje direkte sidomos me ekipet që janë afër në renditje. Dhe kjo normalisht arrihet duke shënuar gola. Kiri në fakt luan në sulm por edhe në mesfushë. Duke qenë se është gjithnjë në manovrën sulmuese të skuadrës së tij, natyrisht që detyra e tij është të shënojë apo dhe të japë asiste për shokët e skuadrës. I pyetur se kur do të vijë goli i parë për të, ai do shprehej: “Dëshira është që të shënoj sa më shpejt, mundësisht që ndaj Kastriotit po ashtu sa më shumë gola për ta ndihmuar Adën për marrjen e rezultateve të duhura që ajo të arrijë objektivin që ka. Me ardhjen e profesor Krepit, skuadra në manovrën sulmuese luan më mirë dhe këtë e tregon edhe në fakt se në dy ndeshjet që ajo drejtohet prej tij, ka arritur të shënojë gola ndërkohë që në katër ndeshjet e para s’e kishim gjetur rrugën e golit”. Fatjon Kiri ka shënuar në miqësoren e para tre ditëve ndaj Ada B, madje dy gola e ky mund të jetë një tregues se në ndeshjet e ardhshme ai do shfaqet protagonist para portave kundërshtare. Por objektivi i vërtetë i këtij futbollisti duket se është tjetër gjë përveçse të ndihmojë Adën e për këtë thotë: “Ajo çfarë dëshiroj unë është që të luaj sa më shumë minuta këtë sezon dhe ta ndihmoj skuadrën. Për mua e rëndësishme është të luaj rregullisht se vetëm kështu do të mund t’i ngjisë shkallët e karrierës një e nga një”. Trajneri e ka shumë për zemër këtë futbollist. Mendon se ai mund të ketë një karrierë të mirë dhe për këtë arsye po e mbështet. Kjo është shumë e rëndësishme prandaj pritet që ky të jetë sezoni i “shpërthimit” të tij.
Gjergj KOLA