Erling Haland mund të luante me Anglinë në Botërorin e Katarit nëse do të kishte zgjedhur të përfaqësonte vendin ku lindi. Sulmuesi i Sitit erdhi në jetë në Lids, gjatë kohës që babai i tij Alf-Inge luante në “Elland Road” dhe sulmuesi 22-vjeçar mund të kishte zgjedhur të luante për “Tre Luanët” nëse do të kishte dashur.
Por pasi ai u kthye në Bryne me familjen e tij kur ishte 3 vjeç, golashënuesi më i mirë i Premier Ligës këtë sezon këmbëngul se ishte natyrale zgjedhja e tij për të luajtur për vendin e origjinës së tij, Norvegjinë.
“Unë jetova në Angli për 3 vite e gjysmë apo 4 dhe më pas jetova në Norvegji për një kohë kaq të gjatë, kështu që ishte e natyrshme për mua që të zgjidhja Norvegjinë. Po ti nuk e di kurrë sesi do të shkojë dhe nëse babai im do të kishte luajtur më gjatë në Angli, ndoshta unë do të luaja për Anglinë, nuk e di. Por po, unë jam norvegjez dhe jam krenar për këtë”, tha Haland për “Goal”.
Haland, i cili ka shënuar 21 gola në 23 ndeshje për kombëtaren e vendit të tij, nuk do të luajë këtë Botëror, pasi përfaqësuesja skandinave nuk arriti të kualifikohej. Është një fatkeqësi që ai, i cili konsiderohet një prej sulmuesve 9 më të mirë në planet, do t’i mungojë skenës së Botërorit. Haland po thyen shumë rekorde që në sezonin e tij të parë në Angli, ku ai ka shënuar 23 gola në 17 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ai do t’i shohë nga TV shumë prej shokëve të tij të skuadrës së Sitit në Katar.
I pyetur sesi sulmuesi i tij do t’i kalojë pushimet gjatë turneut, trajneri i Sitit, Pep Guardiola tha: “Ai do të jetë në Marbeja sigurisht, ose në Norvegji. Varet sesi ai do të sillet në Marbeja dhe sesa mirë do të luajë në gjysmën e dytë të sezonit. Jam i sigurt se do të donte të kishte qenë në Botëror dhe ndoshta në turneun e ardhshëm apo në Europian do të jetë.
Por ai ka një shtëpi në Marbeja dhe do të shkojë atje, të luajë golf dhe shpresojmë të mos pijë shumë dhe të rikthehet në formë. Kjo është hera e parë në jetën tonë që lojtarët do të ndërpresin sezonin dhe kthehen në klube pas Botërorit. Nëse lojtarët do të kthehen kampionë do të jenë shumë të lumtur, ose mund të kthehen të mërzitur”, përfundoi Pep.