“Kjo ishte loja”. Ka qenë dikur një titull i tillë, me personazhe në kurth, që i shkon më së miri përshtat Sulejman Starovës. Dje, pas humbjes turpëruese për cilindo tifoz të Partizanit, 5-0 në Gjirokastër, por që duket se u ka shijuar drejtuesve të klubit (!!!), njeriu i sa e sa funksioneve njoftoi dorëheqjen. Një veprim për t’u përshëndetur, që linte të kuptohet se “Bobi” po distancohej personalisht nga prapaskenat e asaj humbjeje, por çudia kësaj radhe nuk zgjati tri ditë…, sa thuhet se ndodh në vendin tonë.

Brenda 24 orëve, Starova është rikthyer në drejtimin e “demave”, të cilët tashmë janë jo vetëm pa “brirë”, por po u “shkulin edhe dhëmbët”. Presidenti Gaz Demi ka rikonfirmuar trajnerin, duke hedhur pas krahëve turpërimin e radhës, që në Gjirokastër pati përmasa hitorike ndaj bluzinjve. Sikur asgjë të mos ketë ndodhur, kreu i klubit të kuq me këshilltarët e drejtorët e tij të shumtë përreth, që duket sikur bëjnë “stazhin” te Partizani, ka dhënë bekimin: përpara për “fitore” të reja! Starova ka “lëpirë” sa hap e mbyll sytë atë që ka “pështyrë” një ditë më parë, duke e “arkivuar” dorëheqjen bashkë me “shuplakën” e rëndë që goditi fytyrën e tij në “qytetin e gurtë”, dhe vijuar të shohë nga… ndeshja e radhës. Tifozët nuk u kanë besuar syve kur kanë parë në faqen zyrtare të klubit njoftimin për shtyp, duke shpërthyer në akuza të forta ndaj drejtuesve, të cilët, sipas tyre, nuk po luajnë në fushën e blertë, por kush e di se ku. Ja njoftimi që rikonfirmon të njëjtën situatë si para ndeshjes me Luftëtarin te 15 herë kampionët e vendit: “Klubi informon se Sulejman Starova do të vijojë detyrën në drejtimin e skuadrës. Presidenti Demi dhe drejtuesit më të lartë të klubit nuk e kanë pranuar dorëheqjen e trajnerit Starova, dhënë në përfundim të takimit ndaj Luftëtarit, duke rikonfirmuar sot teknikun në krye të ekipit. Një vendim i cili vjen në një moment, kur të gjithë në skuadër duhet të marrin secili përsipër përgjegjësitë për atë paraqitje aspak dinjitoze që ekipi dhuroi në Gjirokastër. Të gjithë lojtarëve dhe stafit teknik iu është kërkuar të tregojnë në fushën e lojës vlerat morale dhe sportive për të mbrojtur me dinjitet ngjyrat e uniformës së nderuar të Partizanit. Nga dita e martë trajneri Starova do të nisë përgatitjet me ekipin për takimin e fundit të vitit 2017, ndaj Vllaznisë, në program më 22 dhjetor”.

telesport.al