Opinion nga Senad NIKSHIQI
Ditëlindje e “hidhur”. Kështu mund të quhet 16 shkurti i ketij viti. Në këtë datë si sot e para 93 vitesh në Shqipëri lindi për herë të parë loja e bukur top e kambë. Ishte pikërisht Shkodra qyteti që jetësoi këtë lojë mahnitëse në vendin tonë. 75 burra të mençur të Shkodrës themeluan shoqërinë “Vllaznija”, emër të cilin vijon ta trashëgojë edhe sot. Para 93 vitesh këta burra që kanë shkruar emrin në histori, punuan dhe besuan se qyteti i tyre ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe tek futbolli do të jetë paranojë për Shqipërinë. Në fakt ashtu ndodhi. Për vite e vite me radhë kryeqendra e veriut (asokohe e Shqipërisë e më gjërë) ruajti me fanatizëm këtë iniciativë të bukur që nga viti në vit u kthye në një traditë për Shkodrën. Shumë shpejt u bë qyteti bazë për zhvillimin e futbollit. Në Shkodër luhet ndeshja e parë Ndërkombëtare që bën jehonë edhe në shtypin europian dhe ky qytet ngelet më i rëndësishmi i këtij sporti. Emra të shquar që sot i përmendim me shumë nostalgji do të jepnin “shpirtin” për ta mbajtur qytetin e tyre në piedestal. Mes mijëra vështirësive të kohës arritën që futbollin ta kthejnë në gjënë më të dashur për Shkodrën. Ndonëse me një ekonomi të dobët, stadiumi në çdo ndeshje shënonte rekord shikuesish. Shkodranët krijuan traditën edhe në tifozllëk teksa çdo herë e gjenin mundësinë të udhëtonin me qindra kilometra për të ndjekur ekipin e tyre te zemrës në të gjitha qytetet e tyre. Sakrifica të mëdha, aq sa është udhëtuar edhe me biçikleta. E gjitha kjo për t’i dhënë Shkodrës këtë emër e traditë të madhe që ka në sportin e futbollit. Si e tillë u cilësua me të drejtë si “djepi i futbollit shqiptar”. Për vite të tëra dolën emra të mëdhenj nga ky qytet duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Vllaznia historikisht ishte e vetmja skuadër që rivalizonte me dinjitet tre skuadrat e kryeqytetit që do të krijoheshin më pas, Tiranën, Partizanin e Dinamon. Para luftës por edhe pas saj të gjithë sytë i kishin nga Shkodra, sepse aty luhej futbolli bukur, aty ishte rivaliteti, aty prodhoheshin talentet, aty ishte emocioni, vlera, tradita, historia – aty ishte gjithçka. Kur Vllaznia zbriste në tapatin e jeshiltë, të gjithë mbanin frymën. Mbetej gjithnjë skuadra që të mbushte me kënaqësi e që edhe sot na bën të jemi krenar. Tashmë Shkodra s’ka jetë pa futbollin, pa Vllazninë e saj të dashur, bijën që u rrit mes shumë vështirësive e pengesave të kohës, por që gjithnjë diti të gjejë rrugëdaljet, të mbijetojë dhe të jetë gjithnjë kryenaltë. Të gjitha këta i përkasin të kaluarës. Megjithatë tradita nuk humb plotësisht edhe në vitet e demokracisë. Shkodra vijon të prodhojë gjithnjë talente të futbollit e të fitojë edhe trofe për të ardhur deri tek vitet e fundit duke qenë e vetmja skuadër në Shqipëri që kalon katër herë radhazi turin e parë në kompeticionet europiane. Shkodra e Shqipëria nuk ngopet me kaq. Gjithnjë kërkon një Vllazni kompetitive. Ky 93-vjetor e ka gjetur Vllazninë ndoshta në një nga ditët e saj më të këqija. Vllaznia e dy sezoneve të fundit ka një mijë e një probleme. Nuk është çështje parash, sepse paratë nuk i kanë munguar kësaj skuadre. Kur brenda vetë stafit ka përplasje, kur administratori nuk merret vesh me trajnerin, kur drejtuesit firmosin me lojtarë pa ditur trajneri, kur në skuadër vijnë e ikin të huaj pa lënë asnjë gjurmë duke marrë me vete miliona lekë, kur trajneri nuk gjen gjuhën e përbashkët me boshtin e ekipit e ato lojtarë më pas largohen, kur trajneri krijon konflikte të kota me mediat, kur drejtuesit nuk kanë asnjë plan, kur lojtarët mbahen njëri i njerkës e tjetri i nënës, kur drejtuesit e mbajnë ekipin si potencial politik e nuk e lënë të privatizohet si në gjithë botën, kur tifozët humbin besimin e stadiumi është bosh si kurrë më parë, kur nuk ka kushte normale stërvitje por duhet bredhur brigjeve të Ulqinit, kur trajneri bën menaxherin, kur të rinjtë e Akademisë cilësohen si lecka e kurrë nuk vlerësohen siç duhet, kur nuk ka një stadium normal, kur figurat e shquara nuk nderohen siç duhet e nuk afrohen në ekip vetëm mjaftohen duke çuar nga një tufë lule tek varri pas ndarjes nga jeta, kur skuadra nuk e di më çafrë kërkon, kur çdo kush i merr pikë Vllaznisë, kur trajnerët shkojnë e vijnë si pa të keq, kur nuk ka një histori të shkruar siç duhet, kur nuk ka një muze për brezat për të ditur se kush janë stërgjyshërit e gjyshërit e tyre e për të ditur se në cilin qytet kanë lindur dhe se çfarë është Vllaznia, kur rolet në ekip janë të ndara gabim e gjithnjë ngatërrohen, kur nuk ka kërkesë llogarie, kur drejtuesit edhe pse kanë miliona e pse jo miliarda para nuk kujtohen qoftë edhe për një ceremoni modeste sepse Shkodra e meriton më shumë se askush, kur Këshilli i Bashkisë miraton në çdo mbledhje miliona lekë pa e ditur se ku shkojnë, kur Bashkia nuk ka forca reale për ta mbajtur skuadrën e nuk thuhet se nga vijnë lekët, kur skuadra veç emrin ka Vllazni duke nepërkëmbur traditën e paditur vlerën që ka atëherë patjetër që 93-vjetori është ditëlindja më e hidhur e Vllaznisë. Këto janë probleme reale që kanë nisur të lindin prej kohësh tek Vllaznia e tashmë duket se kanë zënë rrënjë. Të gjithëve na qan zemra për këtë Vllazni, ndaj duhet t’i themi gjërat hapur, ashtu siç janë në realitet në mënyrë që 94 vjetori e çdo përvjetor që do të pasojë ta gjejë Vllazninë me ditë më të mira e jo në këtë batak ku ndodhet aktualisht. Megjithatë nuk na pëlqen të jemi pesimistë. Vllaznia gjithnjë mes vështirësive ka ditur të ecë e të dalë në rrugën e saj. Edhe pse ka një mision aspak të lehtë shpresojmë e urojmë që të kalojë të gjitha pengesat, të zgjidhë të gjitha problemet e sa më shpejt të jetë e mundur të jetë aty ku të gjithë dëshirojmë ta shohim. Kjo për faktin e thjeshtë se nga Shkodra kanë dalë emra si Palok Nika, Loro Boriçi, Xhelal Juka, Mehdin Zhega, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Astrit Hafizi, Selami Dani, Frederik çapaliku, Paulin Ndoja, Ferit Rragami, Fatbardh Jera, Rudi Vata, Luan Zmijani, Suad Lici, Armando Cungu, Edi Martini, Viorensin Sinani, Hamdi Salihi e për të ardhur tek brezi i sotëm me Xhevahir Sukaj, Armando Vajushi e Bekim Bala. Të gjithë këta e shumë e shumë të tjerë na kanë nderuar, kanë krijuar traditën, kanë shkruar historinë dhe na kanë bërë të ndjehemi krenar. Ndaj duke filluar që nga drejtuesit e famshëm e për të vazhduar tek të gjithë me radhë duhet të bëjmë më të mirën për Vllazninë, ta ngjisim sa më lart ashtu siç e meriton sepse është Vllaznia. Simbol i Shkodrës! Djep i futbollit shqiptar! Gëzuar Vllazni!