Klasikja e futbollit shqiptar Tirana-Vllaznia do të luajë nesër aktin e fundit të sezonit 2019-2020, me bardheblutë që luftojnë për t’u rikthyer te titulli kampion dhe shkodranët, që do të ishin të kënaqur edhe me një vend në Kupat e Europës.

Gazetari i SuperSport, Elvis Rexha ka realizuar një intervistë ndryshe me kapitenët e dy skuadrave, Gentian Muça i Tiranës dhe Gilman Lika i Vllaznisë, të cilët kanë zbuluar emocionet që të dhuron kjo sfidë e veçantë e futbollit shqiptar

Cila është përgjegjësia e shiritit që mbani në krah, në prag të derbit të Shqipërisë?

Muça: Përgjegjësia është shumë e madhe jo vetëm në këtë ndeshje, por në çdo përballje. Është përgjegjësi e madhe jo vetëm ndaj fanellës, por edhe ndaj një tifozërie mjaft të madhe.

Lika: Shiriti është përgjegjësi, por edhe kënaqësi e veçantë. Unë në radhë të parë e konsideroj veten futbollist i thjeshtë dhe detyrë parësore kam të bëj më të mirën në fushë e të ndihmoj ekipin.

Kush është idhulli juaj ndër vite, që ju ka frymëzuar për të dhënë maksimumin?

Muça: Tirana ka shumë emra dhe nuk mund të veçoj vetëm një individ, por dua të ndjek shembullin e Ali Memës dhe Skënder Halilit.

Lika: Si të gjithë fëmijët që shkonin në stadium për të parë ndeshjen, ishte Vioresin Sinani ai që bënte diferencën dhe nuk diskutohet që ishte frymëzim për ne.

Si e kujtoni ditën kur Tirana dhe Vllaznia luajtën për mbijetesë në “Loro Boriçi” dhe njëra prej tyre do të binte një kategori më poshtë?

Muça: Këtë ndeshje e kam ndjekur nga televizori dhe ishte diçka jo e rehatshme për të dy skuadrat, pasi më parë ishim mësuare t’i shikonim të luanin për titullin kampion. Fatkeqësisht dita e zezë i qëlloi Tiranës.

Lika: Ishte shumë e vështirë, sidomos për mua personalisht, pasi ju e dini edhe historinë time. Ishte një ndeshje që as në televizor nuk doja ta shihja.

Si ka qenë periudha kur keni luajtur bashkë te Tirana?

Muça: Gilmani, përveçse është një sportist shumë i mirë, është edhe djalë shumë i mirë. Kemi luajtur jo pak vite bashkë dhe ka qenë një periudhë shumë e mirë profesionale, por nuk e kemi arritur dot objektivin për të fituar titullin kampion.

Lika: Mendoj që kemi kaluar një periudhë shumë të mirë, sigurisht me ato problematikat tona. Marrëdhënia me grupin, por edhe me Gentin, ka qenë e jashtëzakonshme.

Bardheblu apo kuqeblu?

Muça: Bardheblu sigurisht.

Lika: Unë jam kuqeblu dhe tifoz me Vllazninë për jetë, por e kam thënë gjithmonë që Tirana është shtëpia ime e dytë.


E fiton Tirana titullin këtë sezon?

Muça: Me shpresë te zoti, po.

Lika: Është herët për të folur, pasi me humbjen e fundit në Durrës, e kanë komplikuar pak punën. Megjithatë janë me meritë aty ku janë dhe kanë bërë një hap të madh përpara, por duhet të luftojnë deri në fund.

Arrin Vllaznia të kapë Europën?

Muça: Ia uroj me gjithë dëshirë!

Lika: Është e vështirë të flasësh sot për këtë pjesë. Ne po mundohemi të bëjmë maksimumin dhe mendoj se kemi një ekip i aftë për ta arritur këtë objektiv, por nuk mund të mohojmë faktin që jemi pak mangët me përgatitjen fizike.

A ju mungon titulli kampion me fanellën e skuadrës tuaj të zemrës?

Muça: Do të thosha që do të më plotësonte.

Lika: Sigurisht që më mungon, pasi çdo futbollist në karrierën e tij do të donte të fitonte të paktën një herë titullin me skuadrën e zemrës.


Çfarë është për ju Tirana-Vllaznia?

Muça: Më mirë sesa “klasikja e futbollit”, nuk ke çfarë t’i shtosh.

Lika: Ashtu siç thuhet, klasikja e kampionatit shqiptar. Mendoj që janë dy skuadrat më të mira të kampionatit tonë, që ndër vite kanë dhuruar emocione të veçanta në përballjen me njëra-tjetrën.

Çfarë urimi keni për njëri-tjetrin?

Muça:I dëshiroj gjithë të mirat Gilmanit dhe familjes së tij!

Lika: Me Gentin kemi një marrëdhënie krejt vëllazërore dhe do t’i uroj me zemër të fitojë titullin kampion, por gjithmonë pasi të humbin ndeshjen me Vllazninë.