Pep Guardiola e ka cilësuar diferencën e Mançester Sitit të tij me Liverpulin +14 pikë në mes të muajit janar si diçka false dhe e ka krahasuar rivalitetin e skuadrës së tij me Liverpulin në Angli me atë të Barcelonës dhe Realit të Madridit në Spanjë.
“Reds”- at barazuan 2-2 me Çelsin në 2 janar dhe “Qytetarët” shkuan +11 nga rivalët për titull, një diferencë që u thellua në +14 dy javë më vonë pas fitores 1-0 kundër skuadrës së Tuhelit në “Etihad”.
Por Liverpuli kishte edhe dy ndeshje në dispozicion më 15 janar dhe barazimet e Sitit me Sauthemptonin dhe Kristal Palasin, por edhe humbjet e të dyja skuadrave me Totenhemin në mes të shkurtit rihapën garën.
Përpara duelit direkt të së dielës në “Etihad”, Liverpuli që sot është -1 pikë pas kampionëve, shpreson të përsërisë triumfin e vitit 2020. Ata nuk janë mundur ende në vitin 2022 dhe kanë grumbulluar 31 pikë nga 33 të mundshme që prej 1 janarit.
Nëse Liverpuli shpallet kampion, kjo do të ishte përmbysja më e madhe në historinë e Premier Ligës. Në një intervistë për sajtin e klubit, Guardiola e quan atë diferencë të çmendur në janar si të pavërtetë:
“Ajo që është e sigurt për Liverpulin dhe Sitin këto vitet e fundit është se ne kemi ngritur stekën që Premier Liga ka pasur më parë. Skuadrat e tjera kuptuan se duhet të shtyjnë më shumë nëse duan të na arrijnë.
Në 5-6 vitet e fundit, një vit mund të kemi qenë disi jashtë gare. Vitin e shkuar ata patën dëmtime dhe Junajtidi ishte aty. Ndërsa për 5-6 vite ne kemi qenë duke luftuar për titull. Ato 14 pikë ishin false. Ju e keni gabim. Sepse ne kishim luajtur dy ndeshje më shumë sesa ata.
Humbëm pikë me Sauthemptonin dhe Palasin. Nuk ishim efikasë, por i tillë është futbolli, i paparashikueshëm. Por ne sërish ishim të shkëlqyer. Kur ishim +14 nga Liverpuli, edhe unë vetë nuk mund ta besoja, sepse unë e di se me çfarë rivali të pabesueshëm duhet të përballeshim. Me një prej ekipeve më të mira të Europës.
E kam jetuar këtë situatë kur isha në Barcelonë. Ishte gjithnjë Reali, ndonjëherë Atletiko, por normalisht ishte Barça-Real. Këtu ka 5-6 skuadra, por në 5 vitet e fundit janë këto të dyja.
Ky është realiteti i Premier Ligës. Kjo tregon vazhdimësinë dhe strukturën e dy skuadrave. I kuptoj njerëzit që flasin për Liverpulin. Jam i sigurt se të gjithë njerëzit do ta shohin ndeshjen. Do të jenë dy skuadrat kryesuese të kampionatit që do të përpiqen të fitojnë Premier Ligën.”, tha Guardiola.