Nga Endri ÇINARI
Tirana-Vllaznia është krye sfida e javës së 11-të të Superiores. Klasikja e futbollit shqiptar do luhet sot në orën 14:00, në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjes. Një duel ku të dy skuadrat kërkojnë fitoren për të dalë nga momenti “jo” që po kalojnë aktualisht dy ekipet më të vjetra në vend.
Trajneri Bledi Shkëmbi duket se ka shansin e fundit kundër Vllaznisë. Pasi fatet e korçarit në krye të pankinës bardheblu duken në “fije të perit”. Ish-mesfushori duket se ka hartuar edhe formacionin titullar për duelin e sotëm, ku mes mungesash titullarësh duhet të gjejë futbollistët e duhur për të hedhur në fushë.
Kështu nga porta pritet ta nisë si zakonisht Selmani. Në mbrojtje mungesa e madhe është Ismajli, i cili është i pezulluar për arsye kartonash. Vendin e kosovarit në formacion pritet ta marrë Mici. Me fierakun që në prapavijë do gjejë edhe Dembele, Kolen dhe Meten. Në mesfushë të sigurtë duken dyshja Jonuzi-Soler.
Ku para tyre pritet të rreshtohen një treshe më e avancuar në sulm. Me Haxhiun në të djathtë të mesfushës e Prengajn në të majtë. Më i avancuar do jetë edhe Gjumsi. I cili do jetë mbështetësi kryesor për sulmuesin Jarmouni të kryeqytetasve./www.shkodrasport.com/