Nga Endri ÇINARI
Ndeshja Vllaznia-Tirana ngelet si më e ndjera për të gjithë ambientin e futbollit në Shkodër. Pavarësisht se ndoshta klasikja në vitet e fundit e ka humbur disi sharmin edicioneve të shkuara mbetet dueli më i rëndësishëm i sezonit. Kjo edhe pavarësisht formës dhe gjendjes momentale të ekipeve, në fushë pritet një duel “zjarri” nga ana e dy skuadrave.
Për këtë arsye nga ajo çfarë mëson gazeta interesi i tifozerisë shkodrane është më i lartë se zakonisht për këtë 90 minutësh. Numri i të pranishëmve në shkallët e “Loro Boriçit” pritet të jetë më i larti deri në këto momente të këtij sezoni në Superiore. Ku edhe tifo grupi “Vllaznit” ultras të kuqebluve po organizohen për duelin ndaj rivalëve të përjetshëm.
Mbështetësit më të “zjarrtë” kuqeblu priten me një performancë ndryshe dhe me surpriza për duelin ndaj kryeqytetasve. E ndërsa pritet që përveç spektaklit që mund të dhurojnë dy skuadrat në fushën e lojës, atmosfera pritet të jetë edhe më e “ngrohtë” në stadium në ndeshjen e parë të vitit 2025 për dy skuadrat më të vjetra në vend.
Në vitet e shkuara jemi mësuar shpesh që në përballjet klasike me Tiranën të ketë performanca të veçanta nga tifozët e Vllaznisë. Edhe kësaj rradhe duket se tifozët shkodranë e kanë përgatitur surprizën dhe na mbetet vetëm të presim deri ditën e premte se çfarë do ndodhë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”./www.shkodrasport.com/