Nga Endri ÇINARI

Tirana-Vllaznia do jetë kryesfida e javës së 17-të në Superiore. Klasikja e futbollit shqiptar do vijë ditën e dielë në orën 13:30, për të gjithë sportdashësit. Një duel që luhet direkt për katërshen e parë të kampionatit, ku si bardheblutë ashtu edhe shkodranët kanë ambiciet e tyre këtë sezon.

Por në fushë nuk do jetë vetëm një duel mes dy skuadrave, por edhe dy prej individëve më të mirë të kampionatit. Fjala është për Florent Hasanin e Tiranës dhe Bekim Balajn e Vllaznisë, dy golashënuesit më të mirë të kampionatit. Aktualisht futbollisiti i Tiranës është kryegolashënuesi i kampionatit me 10 gola.

Pas nuk ngel as Balaj, që gjeti golin edhe në ndeshjen e fundit të fituar ndaj Dinamos në shifrat 3-1. Shtatlarti ka shënuar deri më tani 9 gola në Superiore, duke qenë jo vetëm më i miri tek Vllaznia, por edhe i dyti në kampionat. Pra, një duel më vete ky i dy sulmuesve në këtë klasike.

Ku patjetër që në vend të parë vihen objektivat e ekipit, por edhe ambiciet personale nuk lihen pas. Si Hasani dhe Balaj duket se do jenë deri në fund pretendentët për të fituar “Këpucën e Artë” të kampionatit. Trofe që sezonin e shkuar e fitoi pikërisht Hasani me 16 gola të shënuar në total gjatë kampionatit.