Vllaznia-Tirana do jetë kryesfida e javës së dytë në Superligë. Dy ekipet më të vjetra në vend do vihen përballë njëra-tjetrës ditën e dielë. Me duelin që do luhet në orën 20:00, në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”. Të dy skuadrat vijnë në këtë duel pas rezultateve pozitive në ndeshjet e javës së parë.
Ku Tirana në shifrat 0-0 mori një barazim në një transfertë mjaft të fortë si ajo kundër Laçit. E ndërsa më pozitiv ishte rezultati i Vllaznisë, me shkodranët që mposhtën me shifrat 0-1 Partizanin në kryeqytet. Pikërisht ky rezultat i skuadrës kuqeblu duket se ka kthyer shumë optimizmin në rradhët e tifozerisë shkodrane. Dhe pikërisht grupimi “Vllaznit ultras” duket se po përgatisin një organizim.
Tifozeria ultras më e vjetër në vend, e cila ka dhuruar gjithmonë atmosferë në mbarë stadiumet e vendit, duket se ka përgatitur surprizën e rradhës. Një organizim që pritet të jetë ndryshe nga herët e tjera dhe që do angazhojë edhe tifozerinë e zakonshme. Me moton “ultras për një ditë”, “Vllaznit” duan të nxisin të gjithë në Shkodër.
Ku në një duel si ai kundër Tiranës, ku beteja nuk ekziston vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit kërkohet që në “Loro Boriçi” të jenë sa më të shumtë mbështetësit në rradhët e kuqebluve. Prandaj na mbetet vetëm të presim deri ditën e dielë për të parë spektaklin e rradhës në shkallët e stadiumit mitik “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI