Ndonëse duhen edhe gati dy muaj deri në hapjen e merkatos së janarit, për Armando Vajushin kanë dalë në skenë sërish të tjera oferta. Sulmuesi I Vllaznisë kërkohet nga PAS Janina por edhe Liteks Lovech kanë shfaqur interes për të këto ditë por nga ana tjetër, edhe Thuni I Zvicrës ka rikthyer dëshirën e tij për ta marrë këtë lojtar. Lajmet bëhen të ditura nga njerëz pranë lojtarit. Madje vetë familjarë të Vajushit janë shprehur se është shumë e sigurtë që në janar, ai do ta lërë Shkodrën.

Nuk dihet ende destinacioni I tij I sigurtë por tashmë duket se e kanë ndarë mendjen. Nëse në verë, pati jo pak fjalë e sorollatje në këtë drejtim por të pakonkretizuara, tashmë gjërat duken ndryshe. Në skenë kanë dalë disa skuadra që kanë shprehur interesimin për këtë lojtar dhe mundësitë për t’u realizuar kjo lëvizje, tashmë janë mëse të realizueshme. Armando Vajushi do të mund të lërë Vllazninë në çdo moment që ai ka një ofertë të mirë për t’u larguar. Por nëse në verë, ish-presidenti Fushaj kërkonte më së paku 200 mijë euro për ta lënë të lirë, tashmë gjërat janë ndryshe. Burime pranë klubit shkodran, por që konfirmohen edhe nga vetë njerëzit e Vajushit, bëjnë të ditur se lojtari është I lirë të largohet në çdo moment nëse ai derdh në arkën e klubit shumën e 100 mijë eurove. Kjo është e shkruar e zeza në të bardhë dhe prandaj gjasat janë të mëdha që ai të largohet në janar. Bjondi shkodran që është edhe kontigjent I kombëtares Shpresa, madje ka luajtur edhe pak minuta në miqësoren e verës të kombëtares sonë në argjentinë, konsiderohet një nga elementët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe jo më kot, në adresë të tij gjithnjë ka patur oferta. Interesimi I PAS Janinës, me shumë mundësi nuk do të merret parasysh sepse lojtari që në verë e ka shprehur hapur që nuk ka dëshirë të luajë në kampionatin grek. Po ashtu, pak shanse ka që ai t’I thotë “po” edhe ndonjë oferte të mundshme të bullgarëve të Liteksit. Oferta më e mirë për momentin duket ajo e zvicerianëve të Thunit. Kundërshtari I Vllaznisë në Europa League verën që shkoi pat insistuar për ta marrë këtë lojtar por ajo çfarë ofronte Thuni nuk përputhej me kërkesën e ish-presidentit Fushaj. Zvicerianët ofronin 100 mijë euro për kartonin dhe ndonjë përqindje në shitjen e dytë të tij. Por tashmë që në kontratën e Vajushit është e shkruar se mund të largohet për 100 mijë euro, pista zviceriane është hapur sërish dhe shanset janë të mëdha që kjo lëvizje të realizohet në janar. Nuk është shumë e sigurtë nëse drejtues të lartë të klubit të Thunit kanë qenë në Shkodër këto ditë sepse kështu flitet, por nëse nuk kanë qenë deri tani, me shumë mundësi do vijnë në ditët e ardhshme.