Mund të duket e çuditshme por një besnikëri të tillë rrallë po hasim në futbollin shqiptar. Kemi të bëjmë me rastin e futbollistit shkodran Kledi Dibra i cili ka nisur sezonin e tetë me ekipin e Besëlidhjes.

Ndonëse herëpashere ka patur oferta nga më të ndryshmet, ai nuk ka preferuar të lëvizë sepse aty është ndier mirë. Njëkohësisht edhe i vlerësuar. Jo më kot, drejtuesit e klubit i kanë besuar edhe shiritin e kapitenit.

I datëlindjes 16 korrik 1992, pasi ka mbyllur ciklin e aktivizimit me ekipet zinxhir të moshave në Shkodër, vendos të nisë një aventurë të re, 40 kilometër më tutje.

Pikërisht në Lezhë, aty ku do të bashkohej me Besëlidhjen në verën e vitit 2011 dhe prej atij momenti nuk është larguar më prej aty.

Tek Vllaznia herëpashere ka dalë emri i tij si një kandidat për t’u veshur kuqeblu dhe për të forcuar mbrojtjen megjithatë nuk dihen arsyet pse kjo nuk është realizuar.

Kledi Dibra vazhdon të luajë me Besëlidhjen dhe duket do të vazhdojë edhe për shumë kohë aty.
© shkodrasport.com