Nga rradhët e Akademisë Vllaznia gjithmonë kanë dalë futbollistë të talentuar, të cilët më pas kanë bërë karrierë tek ekipi i parë, apo dhe në ekipe të tjera të Shqipërisë dhe jashtë vendit.

Po ashtu edhe nëpër ekipet kombëtare. Ai për të cilin do të shkruajmë sot është Klejdi Paloka. I datëlindjes 10 maj 2002, ai ka nisur të merret herët me futboll dhe duke i ngjitur një e nga një shkallët e karrierës.

Sivjet luan me ekipin U-17 të Akademisë Vllaznia. Interesant është fakti se ky futbollist deri sivjet ka luajtur gjithnjë në pozicionin e mbrojtësit të qendrës por tashmë është “shndërruar” në sulmues.

Një zgjedhje e detyruar e trajnerit Brikeno Bizi i cili që në ndeshjen e parë të këtij kampionatit, pati disa mungesa të rëndësishme në formacion dhe si rrjedhojë, e kaloi Palokën nga mbrojtja në sulm.

Një zgjedhje që rezultoi efikase. Që në ndeshjen e parë ka shënuar gol, në të dytën po ashtu një tjetër gol dhe ajo çka ishte më interesantja, në ndeshjen e tretë, atë ndaj Brians, ka shënuar plot 3 gola.

Pra në tre ndeshje të luajtura, ka shënuar plot 5 gola. Më pas i ka ardhur një dëmtim në kavilje që ia ka hequr mundësinë për të qenë në fushë. Mungesa e tij është ndjerë shumë në skuadër sepse Paloka ka krijuar profilin e një lojtari të rëndësishëm për skuadrën.

Një lojtar i fuqishëm por edhe nuhatës i mirë i portës kundërshtare, çka e bën atë një futbollist të perspektivës.
© shkodrasport.com