Klinti Qato është një nga afrimet e verës që po spikat me Vllazninë këtë sezon. Mesfushori ka treguar një formë të shkëlqyer, duke u shndërruar në një titullar të pazëvendësueshëm për ekipin e Brdariç.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për ecurinë dhe formën pozitive që po kalojnë kuqeblutë. Po ashtu, kuçovari shprehet edhe për objektivat sezonal të shkodranëve dhe ndeshjen e radhës në transfertë kundër Bylisit.


Qato, një ecuri fantastike e Vllaznisë në këtë fazë të dytë. Është futur tashmë skuadra në ritmin e duhur?

Po, është e vërtetë që në këtë periudhë kemi marrë 11 pikë, që janë shumë të rëndësishme duket ditur sesa të ngjeshura janë ekipet në kampionat. Them se grupi tashmë është i konsoliduar dhe lojtarët po kalojnë një formë maksimale. Patjetër që nivelin duhet ta ngjisim akoma më tepër në javët në vijim, ku ndeshjet do të jenë edhe më të shpeshta.


Cili mund të jetë këtë sezon kundërshtari më i fortë i Vllaznisë?

Kampionati ka disa skuadra të forta dhe siç e thashë gara është e barabartë, ku çdo kundërshtar të nxjerr punë. Por nëse do të veçoja dikë në garë me Vllazninë, ato do të ishin Partizani dhe Egnatia, që kanë treguar cilësi gjatë këtij sezoni deri më tani.