Klodian Arbëri, një nga sulmuesit më të njohur shqiptarë të 2 dekadave të fundit, i shkëputur prej pak vitesh nga futbolli i luajtur, flet pa doreza për “Panorama Sport” për tranzicionin e zgjatur të Tomorit, për historinë e famshme të titullit të mohuar në sezonin 1999-2000, çfarë ndodhi realisht në fundin e atij kampionati dhe për vakumin e sulmuesve në skuadrat tona.

“Loku”, siç e thërrasin të gjithë, ish-lojtar i Tomorit, Mariborit, Tiranës (Kupat e Europës), Vllaznisë, Lushnjës, Skënderbeut, Luftëtarit, Dinamos dhe Bylisit, aktualisht trajner i para të rinjve në klubin beratas, nuk e njeh diplomacinë dhe vë direkt gishtin në plagë. Ja intervista e tij për gazetën:

Të flasim pak për sezonin e famshëm 1999-2000, kur Tomori thuajse e fitoi titullin, por ajo ndeshje shtesë me Tiranën prishi gjithçka. Çfarë ndodhi realisht?

Të sezon, të jem i sinqertë, kishim një ekip ndoshta jo me shumë kualitet, por shumë lojtarë punëtorë në fushë. Një ekip i lidhur dhe bëmë një kampionat mjaft të mirë. Titulli?

I takonte pa dyshim Tomorit për mënyrën si shkuan gjërat. Me ndeshjet direkt fitonim ne, sepse fituam në Berat dhe barazuam në Tiranë. Golaverazhi ishte i njëjtë. Nuk kishte shumë për të diskutuar dhe nuk e di nga doli ajo ndeshje shtesë. Me ndarjen nga jeta të presidentit tonë Ardian Çobo diçka ndryshoi në atë kohë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Gjërat ndryshuan, sepse në atë kohë ishte ngulitur ideja se Tomori i fitonte ndeshjet me dhunë, me pistoletë, për shkak se kishte një president gangster. Nuk ishte kështu, ne e kishim gjithçka me lodhje. Nuk fitohen ndeshjet me pistoletë, ja ta zëmë se fituam një apo dy. Barazimin me Tiranën me pistoletë e morëm?

Po barazimin me Partizanin, me Dinamon dhe shumë ndeshje të tjera? Në Korçë fituam, në Vlorë që ishte sikleti më i madh. Kush na i mori? Tomori kishte vlera si ekip, i mori ndeshjet me futboll dhe e meritonte atë titull për mënyrën si shkoi kampionati, e thashë. Ne ishim, si të thuash, si fshati në festë, por e meritonim. Edhe Tirana duhej të thoshte: urdhëroni, ju takon juve! Kam shumë respekt për Tiranën, kam luajtur me të, por Tomorit një herë në jetë i jepen këto mundësi dhe nuk na e lanë atë trofe. Në fund gjërat ndryshuan kundër nesh.

Më konkretisht?

Ne u çuditëm me ndeshjen shtesë, megjithatë kërkuam ta luanim në Tiranë atë dhe jo në Elbasan, ku në atë kohë ishte “regjimi” i Mond Kosenit, ishte shtetrrethim. Normal që ata do anonin nga Tirana, jo nga Berati. Kërkuam të luhej në shtëpinë e Tiranës, por ata çuditërisht nuk pranuan.

Kërkuam pastaj në Korçë, por ata ishin të vendosur për të luajtur në Elbasani, ku kishin mbështetjen e tyre. Mbaj mend që kur dolëm në nxemje, kishim frikë të gjuanim portën, sepse ambienti ishte shumë i ftohtë dhe policët na ruanin si këta që ruajnë Trampin sot, me kufje në vesh dhe me shikim të egër. Kishte edhe gjëra të tjera që ndikuan në atë ndeshje.

Si për shembull?

Përfaqësuesin tonë, shefin e klubit nuk e lanë të futej në mbledhje, u fut Bujar Pregja, që nuk e di çfarë pune kishte. Tjetra, një karton i verdhë që ishte për Klodian Dinon, arbitri ia dha Aliajt, duke e nxjerrë me të kuq, sepse për të ishte i dyti. Kaq mjafton për të përcaktuar ndeshje të tilla.

Klodian, pse këto vitet e fundit është e vështirë të shohim sulmues si në kohën tuaj?

Ndikojnë shumë gjëra. Sot gjithçka është shumë më e zhvilluar dhe fillon që nga poshtë, e kam fjalën te moshat, ku edhe fëmijët janë më inteligjentë. Shkak kryesor që ka pak profile sulmuesish në Superiore është se sot një i talentuar bie në sy dhe menjëherë shkon jashtë vendit. Nuk ka kohë t’i tregojë vlerat në kampionatin shqiptar.

Në kohën tonë, në një ekip ishim në garë 6 sulmues për 2 vende në formacion. Ishte një garë shumë e fortë që na nxiste të ecnim përpara dhe nëse e humbje vendin, e kishte shumë të vështirë ta fitoje sërish. Punonim dhe stërviteshim shumë.