Klodian Duro mendon se Superiorja këtë vit do të ketë luftë të ndezur mes ekipeve që luftojnë për objektiva të ndryshëm. Në një intervistë të dhënë për “Sport News” në “News 24”, Duro ka analizuar si garën në kreun e renditjes, edhe për atë në fund të tabelës.
Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, Duro ka shpjeguar se sheh Tiranën ende të rrezikuar seriozisht për rënien, teksa ka zbuluar se ka zhvilluar edhe ai bisedime me presidentin Halili për të marrë drejtimin e bardhebluve.
Duro, fillimisht një koment të shkurtër për Topin e Artë, me Bekim Balajn që fitoi gjithçka, lojtari më i mirë i vitit të fundit, protagonist absolut edhe këtë sezon. Të mendosh që është 34 vjeç…
Mendoj se ishte e merituar për Balajn, pasi i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Ai është shembull për të rinjtë që duan të bëjnë karrierë.
A mjafton Balaj për të rikthyer titullin në Shkodër, kjo ishte dhe dëshira e tij më e madhe…
Futbolli është sport kolektiv, duhet gjithë mbështetja e ekipit. Mendoj se Bekimi është shtylla kryesore për të shkuar drejt titullit. Ka përvojë të madhe. Disiplina, stërvitja dhe përkushtimi, e mbajnë në këto nivele.
Mes 4 ekipeve të kreut, Egnatia, Partizani, Dinamo dhe Vllaznia, kë sheh favorite, ekipin më të kompletuar për të fituar titullin?
Të katër këto ekipe kanë ndërruar vendet me njëra-tjetrën. Dinamo ka patur një ecuri më konstante. Me ardhjen e Dajës, Dinamo u ngjit me kalimin e kohës dhe tani është realitet. Me këtë fitoren e fundit, Egnatia, si ekip që ka më shumë eksperiencë, rikonfirmoi veten e vet. Është disi më e avantazhuar për të përsëritur suksesin. Do jetë luftë e fortë deri në fund.
Këtë javë luhet Elbasani-Tirana, jeni ish-lojtari më emblemë i këtij dueli, si e sheh këtë sfidë? Çfarë ndeshje pret?
Tirana-Elbasani ka patur rivalitet. Janë ekipe me shumë histori, duke patur në gjirin e tyre lojtarët më të mirë të vendit tonë. Mendoj se do jetë një ndeshje e fortë, për të marrë rezultatin e dëshiruar nga këto ekipe.
A do të ishte zhgënjim për Elbasanin nëse nuk kap Final Four këtë sezon?
Me investimet e bëra, vetë klubi i Elbasanit dihet që synon Final Four. Shumë lojtarë të afruar, një investim i madh, ata dëshirojnë që të shkojnë në top 4. Në këtë katërshe, të realizojnë objektivin që të hyjnë në Europë. Elbasani, me këto dy humbjet e fundit, i ka komplikuar pozitat e veta. Ky kampionat është i fortë. Do jetë garë e fortë në zonën poshtë të tabelës.
Pyetja që bëjnë të gjithë tifozët bardheblu, a e sheh të rrezikuar Tiranën këtë sezon?
Mendoj se Tirana në momentin që gjen stabilitet, mënyrë loje dhe merr disa rezultate pozitive, ka eksperiencën për të mos rrezikuar. Realisht, ndodhet në pozita të vështira, pavarësisht fitores me Bylisin. Edhe rivalët e bardhebluve fituan. Nuk mund të parashikoj asgjë.
Duro, a është e vërtetë që ke pasur një ofertë nga Tirana pas shkarkimit të Maganit?
Kam qenë gjithmonë pranë klubit të Tiranës. Kam qenë me presidentin Halili në fillim të sezonit për një projekt me Tiranën, por nuk u realizua. Duke qenë se ne jemi pjesë e futbollit, unë asnjëherë nuk do i thosha “jo”. Tani Tirana ka trajner dhe më mbetet t’i uroj suksese.