Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe i Tiranës, Klodian Duro ka vendosur ditën e djeshme, që përfundimisht, të qëndrojë në kryeqytet, me skuadrën ku bën pjesë aktualisht dhe ka edhe një kontratë 1-vjeçare me të. Në këtë mënyrë ai ka thënë “jo” Vllaznisë, e cila ishte e gatshme për të bërë një sforco të madhe financiare, vetëm e vetëm, që ky futbollist të rikthehej dhe një herë në Shkodër, dhe kontributi i tij tek kuqeblutë në sezonin e ri do të ishte i dobishëm për të synuar trofe. Gjithçka është mbyllur dje në mesdite, ku drejtuesit e skuadrës shkodrane kanë patur edhe kontaktin e fundit me Duron për këtë çështje.
Në qytetin verior kanë shpresuar shumë deri në fund se mund ta afronin këtë lojtar te kuqeblutë, por edhe vetë mesfushori elbasanas, në një farë mënyre e ka ëndërruar një rikthim në stadiumin “Loro Boriçi”, pikërisht aty mori edhe trofeun e parë në karrierën e tij, duke u shpallur “kampion” me Vllazninë, e më pas pati vetëm suksese në ecurinë e mëtejshme. Gjithashtu ai mbetet një nga idhujt e tifozërisë shkodrane, por edhe kjo nuk ka mjaftuar që ai të ndërmarrë një hap të guximshëm për të prishur kontratën me Tiranën dhe të mbërrinte në Shkodër. “Do të qëndroj në Tiranë, sepse kam edhe një vit kontratë me të. Sido që të shkojnë punët te ky klub, gjatë sezonit të ardhsdhëm, dua që të jem pjesë e bardhdblu, me gjithë dëshirën, që kisha për të ardhur në Shkodër dhe do ta respektoj këtë kontratë deri në fun”, kështu mësohet t’u ketë thënë si përgjigje të fundit, Klodian Duro, ditën e djeshme, drejtuesve të Vllaznisë. Edhe këta të fundit kishin një farë shprese se ai mund të shkonte në qytetin verior.
Mejdan ZHIVANI