Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares sonë dhe ish-trajneri i Kukësit dhe së fundmi Feronikelit, Klodian Duro, ne nje interviste per “Panorama Sport” i ka bere një analizë Superiores duke u ndalur tek skuadrat e kreut, por edhe problematikat e kampionatit.
“Superiorja vit mbas viti është rritur, është një kampionat i bukur për t’u ndjekur. Në këtë vit nuk kam parë një ekip që bën diferencën. Në aspektin e lojës mendoj se Tirana është më e stabilizuar dhe prandaj dhe me meritë ndodhet në krye. Normalisht që përveç lojës ka pasur stabilitet edhe në rezultate, edhe pse shumë fitore i ka pasur minimale, por ka treguar një vazhdimësi.
Kukësi ka arritur të tregojë gjëra pozitive. I mungon disi vazhdimësia në marrjen e rezultateve, ka gjithashtu edhe problemin me stadiumin, sepse i ka luajtur të gjitha ndeshjet jashtë fushe. Do të jetë një kundërshtar i fortë për Tiranën. Ndërkohë, ekipet e tjera, pa harruar Laçin që është rritur shumë, nga ai fillimi i zymtë i kampionatit, ka arritur këtu, e shoh një ekip shumë të fortë. Normalisht që është edhe Vllaznia që ka cilësi.
Mendoj se tek Partizani janë munduar që të krijojnë një ekip me potencial, por ndonjëherë mund të mundohesh aq shumë dhe si përfundim ke mungesë rezultatesh. Besoj se ishte kjo e fundit sepse lojërat dhe stabilitetin si skuadër e ka pasur, si në shtrirjen në fushë apo në aspektin taktik.
Pastaj mungesa e rezultateve sjell probleme brenda ekipit, probleme që nga ndeshja në ndeshje dukeshin dhe jo më kot edhe shumë lojtarë patën edhe probleme, aq më tepër pastaj edhe kapiteni Hoxha apo Kaçe, që normalisht erdhi për të bërë diferencën te Partizani, por këto janë ato që shohim ne nga jashtë.
Jo vetëm Partizani, por edhe të gjitha ekipet e tjera e duan një sulmues të mirëfilltë, një numër 9, tipik golashënues, por mendoj se Partizanit i ka munguar ai 9-ta që bën diferencën në zonën kundërshtare, ai sulmues që bën golin dhe çon skuadrën drejt fitores. Por, tani ka kohën, edhe pse në janar është disi e vështirë të gjesh një sulmues të mirëfilltë, por nëse kërkohet, mund të arrijë ta gjejë.
Unë them se duhet t’u jepet më shumë dorë edhe futbollistëve të rinj shqiptarë, sepse mendoj se kemi futbollistë me cilësi që duan mbështetjen e trajnerit dhe klubit për t’u rritur, sepse të gjithë e kanë një fillim.
Duhet të fokusohemi më tepër këtu për të rritur futbollistë të rinj dhe shembullin konkret e kemi nga Tirana që inkuadroi Ernest Muçin në gjirin e vet, dhe ai e tregoi veten e tij edhe pse ishte një lojtar i ri, bëri diferencën dhe atë transferimin te Legia e Varshavës. Ky është shembulli për t’u ndjekur nga të gjitha ekipet, por kjo varet direkt nga stafet teknike se sa besim u japin këtyre futbollistëve të rinj”- eshte shprehur ai.