Tek Vllaznia ende nuk po flitet për afrime konkrete por nga ana tjetër, më shumë po flitet për largime futbollistësh. Kështu, dy futbollistët e parë që duket se kanë kërkuar largimin nga skuadra janë mbrojtësi Klodian Semina dhe mesfushori Behar Ramadani. I pari duket se po tenton sërish të gjejë një ekip jashtë vendit për të vazhduar karrierën e tij ashtu siç ka bërë edhe disa herë të tjera më parë. Në fakt, edhe në kontratën që ai ka firmosur me drejtuesit e klubit shkodran verën që shkoi, ka një klauzolë se mund të largohet këtë janar në rast të një oferte të mirë jashtë vendit. Kjo do të bëhet kuptohet duke paguar një dëmshpërblim në klub për prishjen e kontratës. Në ditët e ardhshme do të mësohet edhe destinacioni i mundshëm i Seminën. Nga ana tjetër, ende nuk ka të qartë për destinacionin e mesfushorit Ramadani. Ai erdhi tek Vllaznia në fillim të sezonit pas një përvoje pozitive tek Luftëtari i Gjirokastrës por me kuqeblutë nuk ka arritur të tregojë vlerat e veta. Ka luajtur si titullar vetëm në ndeshjen e parë të kampionatit me Flamurtarin si dhe ka qenë zëvendësues për pak minuta në një takim tjetër dhe vetëm kaq. Në kushte të tilla kur edhe klubi ka qenë i pakënaqur me kontributin e tij por edhe vetë futbollisti ka qenë i pakënaqur me mosaktivizimin, duket se do arrihet akordi për ta lënë të lirë. Gjërat kësisoj kanë filluar të marrin rrugë. Tashmë me shumë mundësi këto dy futbollistë nuk do llogariten më si pjestarë të Vllaznisë. Problemi është për zëvendësimin e tyre. Ende nuk ka emra konkretë por shumë shpejt do mësohet kjo gjë me siguri.

www.shkodrasport.com