
Klodian Semina do të vazhdojë të luajë në Zvicër edhe në sezonin 2012-13. Kjo sepse ai pak ditë më parë ka firmosur kontratën e re me ekipin e Lokarnos, me të cilin ka mbyllur së fundi një sezon të mirë. Arsyeja pse I është ofruar rinovimi sigurisht që ka të bëjë me faktin që drejtuesit e klubit zvicerian kane mbetur te kenaqur me paraqitjet e mbrojtesit shkodran ne sezonin e fundit. Lajmi për rinovimin e kontratës e ka bërë të ditur për gazetën online www.shkodrasport.com vetë futbollisti që këto ditë ndodhet me pushime në Shkodër pranë familjes së tij. “Drejtuesit e LOkarnos pak para se të nisesha për në Shqipëri, më kanë ofruar rinovimin e kontratës dhe tashmë kemi hedhur firmë në kontratë teksa unë do të luaj me këtë ekip edhe për sezonin 2012-13. Drejtuesit e klubit kanë mbetur të kënaqur nga paraqitja ime në sezonin e fundit dhe përveç kësaj, edhe ekipi ka ecur mirë teksa e kemi mbyllur në vendin e shtatë në renditje. Jam i kënaqur që do luajë edhe një vit në Zvicër sepse do më ndihmojë shumë në karrierën time”-ka thënë Semina. Ndonëse luan në Zvicër, sigurisht që për këtë futbollist shkodran mendja është edhe tek Vllaznia. Pikërisht duke folur për ish- skuadrën e tij, Semina shpreh dëshirën që gjërat në sezonin e ri do jenë shumë më ndryshe nga sezoni që sapo u mbyll. “E kam ndjekur me shqetësim ecurinë e Vllaznisë në sezonin e fundit dhe mund të them se ka qenë një nga sezonet më të këqija për të prej shumë vitesh. Kam mësuar se tani do jetë Shpëtim Duro trajneri i ri dhe kam shumë besim se gjërat do jenë shumë më ndryshe për të ndërtuar një skuadër më të fortë dhe pretendente”- ka thënë ai.
Në këtë mënyrë, Klodian Semina shpreh qartë dëshirën e tij për ta parë sa më mirë Vllazninë por ndërkohë që mendjen do ta ketë tek Lokarno në Zvicër, aty ku do të nisë një sezon të dytë.
www.shkodrasport.com