Mbrojtësi shkodran Klodian Semina duket se ka ndër mend t’i japë lamtumirën Vllaznisë. Ai që nga dita e hënë nuk ndodhet në Shkodër. Lajmi bëhet i ditur ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com nga familjarë të tij. Ata nuk kanë thënë se për ku është nisur ai por duket se mbrojtësi 24 vjeçar ka ndër mend të provojë një aventurë të re sërish jashtë vendit. E tentoi një gjë të tillë edhe një muaj më parë teksa kishte një ofertë nga një skuadër kineze por ndërhyrja e presidentit Çela e mbajti në Shkodër me premtimin se do t’i rishikohej kontrata dhe do të firmoste madje edhe për sezonin e ardhshëm.


Në fakt, nga sa merret vesh kjo firmë në kontratë nuk është hedhur dhe pikërisht nga kjo, 24 vjeçari shkodran dje ka lënë qytetin e tij. Kjo gjë vërtetohet më së miri edhe nga fakti se ai ka munguar në dy seancat e sotme stërvitore të kuqebluve dhe me shumë mundësi do të mungojë edhe në ditët e ardhshme. Ende nuk ka asnjë informacion nëse arsyeja e largimit të tij nga Vllaznia ka të bëjë me ndonjë ofertë të mirë financiare që mund t’i ketë ardhur sërish nga jashtë apo ndonjë pakënaqësi që mund të ketë në raport me drejtuesit e klubit. Semina po luante titullar në çdo ndeshje madje trajneri Bushati e kishte vendosur në vendin e tij të preferuar, atë të qendërmbrojtësit, vend ku ka luajtur në të pesë ndeshjet e kësaj faze të dytë duke bërë një paraqitje të mirë, aq sa edhe Beqiri u detyrua të qëndronte në stol apo të luante në pozicione të tjera. Dilema e vetme e largimit të Seminës ka të bëjë me atë se në këto momente është shumë e vështirë të federohet në ndonjë skuadër tjetër në këtë periudhë të sezonit dhe po ashtu, nëse janë dakord drejtuesit e Vllaznisë me këtë largim të tij.
www.shkodrasport.com