Një tjetër lojtar mund të shtojë rradhët e Vllaznisë. Ai tashmë ka mbërritur, ka filluar stërvitjen dhe është gati të arrijë akordin dhe të firmosë me të. Bëhet fjalë për mbrojtësin shkodran Klodian Semina. Bjondi shtatëlartë ka mbërritur ditët e fundit nga Zvicra atje ku ka mbyllur kontratën me ekipin e Lokarnos dhe është vënë në kërkim të një skuadre tjetër. Në fakt, ka qenë Kastrioti skuadra e parë që ka shfaqur interes për këtë lojtar por duket se vetë Semina më shumë sesa për ndonjë skuadër tjetër, ka dashur të kthehet e të luajë për skuadrën e qytetit të tij- Vllazninë.
Sigurisht që nuk do ta ketë të lehtë pasi I duhet të fitojë një vend titullari me Beqirin, Osmanin dhe Krajën por ai nuk trembet nga kjo gjë. Për të e rëndësishme është të gjejë akordin financiar dhe të firmosë me këtë skuadër. Dje futbollisti ka dalë në stërvitje me kuqeblutë dhe vetë trajneri Duro ka dhënë OK-in për marrjen e tij. Tashmë gjërat kalojnë në një plan tjetër. Atë të firmosjes së kontratës, procedurë që mund të kryhet në ditët e ardhshme.
Lokarno. Në fund të majit, Semina deklaroi se kishte rinovuar kontratën me ekipin e Lokarnos edhe për një sezon tjetër. Klubi kishte mbetur I kënaqur me paraqitjet e mbrojtësit shtatëlartë në sezonin e kaluar dhe I kishte ofruar rinovim. Edhe shkodrani 23 vjeçar nuk ka qenë kundër dhe ka hedhur firmë në kontratë. Gjërat janë dukur mirë deri para pak ditësh. Duket se largimi I sulmuesit elbasanas Sadiku nga kjo skuadër, I ka prishur raportet e shqiptarëve me drejtuesit e këtij klubi të ligës së dytë zviceriane. Për rrjedhojë, edhe për Seminën ka ardhur prishja e kontratës. Për rrjedhojë tashmë ai është kthyer në Shqipëri dhe pret të gjejë një skuadër ku të vazhdojë karrierën. Ish-lojtari I kombëtares Shpresa dallohet për lojën e fortë në ajër por edhe më këmbë dhe me shumë siguri nuk do ta ketë të vështirë të gjejë skuadër për të luajtur. Megjithatë dëshira e tij është Vllaznia.
Vllaznia. Klodian Semina ka marrë ofertën e parë nga drejtuesit e klubit të Kastriotit. Fakti që tek kjo skuadër tashmë kanë shkuar edhe shkodranët Gocaj, Sykaj e Shaba, tregon më së miri se në këtë klub I duan dhe I vlerësojnë shkodranët. Megjithatë Semina dëshiron të rikthehet tek Vllaznia. Kjo edhe ngaqë gjatë karrierës së tij shpeshherë nuk I është dhënë mundësia të tregojë atë se çfarë di të bëjë. Për këtë arsye, ka dalë në stërvitje me këtë skuadër ditën e djeshme dhe pret të firmosë kontratën që mund t’I ofrojnë drejtuesit kuqeblu. Akordi nuk duket se do jetë I vështirë për t’u arritur. Lojtari do t’I pranojë kushtet e kontratës që do t’I ofrojë klubi dhe në kushte të tilla do cilësohet pjesë e kësaj skuadre. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Në këtë mënyrë do realizohej edhe dëshira e lojtarit por nga ana tjetër, do plotësohej edhe një dëshirë e tifozëve shkodranë për të rikthyer futbollistët e këtij qyteti që luajnë në skuadra të tjera Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas Beqirit dhe Shtubinë, ky I Seminës mund të jetë kthimi I tretë I rëndësishëm që në të ardhmen mund të pasohet edhe më të tjerë.
Gjergj KOLA