Ndryshimi i emrit nga Dinamo në Dinamo City pati një efekt të madh në opinionin publik. Disa e komentuan me doza optimizmi se “binjakëzimi” me kampionët e Anglisë dhe të Europës, që janë në pronësi të sheikëve, do të mund të përkthehet edhe në një mbështetje financiare apo edhe një model zhvillimi për një klub shqiptar.

Natyrisht, pati edhe nga ata që nuk binin dakord me këtë ndryshim, duke e konsideruar “shpikje” apo “artificë”. Megjithatë, diskutimi i emrit nuk është i vetmi mister që ha debat për atë që sot quhet Dinamo City.

Përkundrazi, mjafton një hulumtim i thjeshtë dhe vëren se kjo skuadër është regjistruar më 2021-shin në QKB, ndërsa sa për Dinamon e themeluar më 1950-ën dhe që dikur funksiononte si shoqatë, gjërat janë shumë të paqarta.

SHOQATA – Shoqata Futboll Klub Dinamo është person juridik, i regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.1408, datë 9.6.2005, në gjurmët e Dinamos së 1950-ës.

Klubi ishte ndërtuar sipas një urdhri të Ministrisë së Brendshme, që Dinamon në futboll dhe shumësportësh e ndante dhe i kthente në një shoqatë.

Deri në vitin 2020, me ardhjen Marko Pontrelit dhe Adrian Bardhit shoqata mendohet se ka ekzistuar dhe kontrollohej nga Besnik Sulaj dhe administrator Ismet Saliu. Më pas Potreli “zhduket” dhe Bardhi merr kontrollin e klubit sapo klubi ngjitet në Superiore.

KLUB “SH.A.” NË 2021- shin – Emri, logoja dhe qyteti i ndryshuar ka krijuar kërshëri te tifozët, që duan të dinë se çfarë ndodhi me skuadrën e vjetër. Dhe realisht dilema tani bëhet më e madhe, pasi sot që flasim Dinamoja e vjetër është zhdukur si me magji dhe ka një Dinamo të re.

Një Dinamo që nuk dihet nëse ka titujt, Kupat dhe Superkupat apo historinë e saj të lavdishme. Themi kështu, pasi Dinamo e Adrian Bardhit dhe e aksionerëve të tjerë është ndërtuar në vitin 2021 si shoqëri aksionere nga asgjëja. Në 20.9.2021, Bardhi ka regjistruar në QKB shoqërinë aksionere “Football Club Dinamo, sh.a.” me 35 milionë lekë kapital dhe asgjë tjetër. Një klub që në statutin dhe aktin e themelimit nuk ka asnjë lidhje, pronë apo transferim nga Dinamoja e vjetër e 1950-ës.

As trofetë dhe as transferimin e logos, markës, dhe të drejtave të tjera. Fakt është që statuti dhe akt-themelimi të depozituara dhe janë publike në QKB nuk pasqyrojnë bashkimin dhe kalimin e dy Dinamove.

Shkurt, në 2021-shin është një klub i ri, për të cilin u ndërtua një logo e re. U publikua dhe pas disa muajsh u ndryshua dhe u kthye logoja e vjetër, por edhe kjo lëvizje ka një prapaskenë.

REGJISTRIMI NË FSHF – Më enigmatike bëhet situata, pasi “Football Club Dinamo sh.a.” e vitit 2021, regjistrohet në FSHF dhe zëvendëson Dinamon e vjetër, shoqatën pasardhësen e 1950-ës. Për këtë Bardhi në 11 janar 2022 thoshte: “Dinamo ishte OJF, por prej shtatorit është shoqëri aksionere, ka një president të vetëm dhe ai quhet Adrian Bardhi. Janë dokumente që mund të verifikohen, janë me vendim gjykate që janë të depozituara si në Federatën Shqiptare të Futbollit, ashtu edhe në UEFA. Gjithçka është qartë”.

DINAMO SITI 2023 – Ndryshimi i sheikëve vjen këtë verë. Në datën 1 gusht 2023, nga shoqëria e Bardhit është depozituar vendimi për ndryshimin e emrit të subjektit dhe adresës kryesore. Emri i subjektit ishte “Futboll Club Dinamo sh.a.” u bë “Futboll Club Dinamo City”.

Po kështu, selia është spostuar në Arbanë dhe tetë ditë më pas është shtuar edhe një adresë e dytë në Durrës. Ka lajme bombastike për një klub serioz.

LOGOT DHE EMRI TE MARKAT – Historia intrigohet edhe më shumë për çështjen e logos, markës dhe emrit, sepse tani që flasim në “dppi”(patentat dhe markat), ekziston e regjistruar Dinamoja e vjetër dhe logoja e 1950- ës.

Në datën 3.10.2019, Ismet Saliu ka regjistruar “Futboll Klub (D) Dinamo Tiranë 1950” dhe logon e vjetër me vlefshmëri deri në 2029-ën. Me formimin e “Sh.a.”-së nga Bardhi në 2021-shin, administratori Ilir Sinani ka aplikuar të regjistrojë klubin e 2021-shit me emrin “Futboll Klub Dinamo” dhe logon e re, e cila u zbulua me pompozitet në publik.

Patentat dhe markat e kanë refuzuar regjistrimin si për emrin dhe logon e re. Dinamoja më pas hoqi logon e re dhe riktheu logon e vjetër. Tentativa e dytë për të ndryshuar logon dhe emrin është bërë në 8.8.2023.

Përfaqësuesi i “Futboll Club Dinamo City”, sërish Ilir Sinani, ka bërë një aplikim te patentat dhe markat për regjistrimin e emrit “Futboll Club Dinamo City” dhe logon “Dinamo City 2023”. Aplikimi është ende në pritje dhe as nuk është pranuar dhe as është refuzuar.