FIFA ka marrë një vendim sa i përket afatit kalimtar të hershëm të verës shkaku i Kupës së Botës për Klube dhe klubet e Ligës Premier pritet ta miratojnë atë.

Sipas The Independent, klubet e Ligës Premier pritet të miratojnë një afat kalimtar transferimesh në fillim të qershorit, pas vendimit të FIFA-s për të futur një periudhë të veçantë të përkohshme për marrëveshjet e verës.

Ekipet e ligës elitare do të takohen në Londër për të votuar mbi propozimin, i cili do të hapë afatin kalimtar nga 1 qershori deri më 10 qershor. Për të kaluar, mocioni kërkon një super-shumicë prej të paktën 14 klubesh në favor.

FIFA fillimisht miratoi periudhën shtesë të transferimeve tetorin e kaluar, kryesisht për të akomoduar ekipet që marrin pjesë në Kupën e Botës për Klube.

Megjithatë, afati kalimtar i hershëm do të jetë i disponueshëm për të gjitha klubet e Ligës Premier, jo vetëm për Manchester City dhe Chelsea, të cilët do të konkurrojnë në turne.

Nëse propozimi miratohet, ai mund të ndikojë në afatin kalimtar të përgjithshëm të transferimeve të verës, pasi rregulloret e FIFA-s kufizojnë afatet kalimtare të sezonit të mbyllur në një maksimum prej 12 javësh. Kjo do të thotë se mund të nevojiten rregullime për datën e zakonshme të mbylljes në gusht.

Si i tillë, afati kalimtar i këtij viti pritet të mbyllet më 14 gusht, dy ditë para fillimit të sezonit 2025/26, e jo në fund të muajit. /Telegrafi/