Pauza e kombëtareve do t’u shërbejë jo pak disa prej klubeve të Kategorisë Superiore. Fillimi i kampionatit ka qenë tepër pozitiv për disa ekipe, e ndërkohë që për disa të tjerë gjërat nuk kanë nisur siç ata kishin parashikuar ose do të donin.
Tirana është një prej këtyre ekipeve. Bardheblutë, përtej frymës optimiste, ende nuk e kanë shijuar suksesin e parë, me skuadrën që regjistron një bilanc prej dy humbjesh dhe vetëm një barazimi.
Gjithsesi numri një i stolit të kryeqytetasve, Ze Maria qëndron i qetë dhe ka besimin se ekipi do të dijë të reagojë. Kjo periudhë pushimi i shërben jashtë mase Tiranës, për të reflektuar dhe për t’u korrigjuar në pikat ku ata po çalojnë.
Kukësi gjithashtu nuk pati një fillim sezoni pozitiv. Verilindorët vinin me lodhjen e madhe nga sfidat e fazës eliminatore të Europa Leagues, lodhje që u reflektua edhe në fushën e blertë.
Pas dy javësh, ekipi i Armando Cungut gjeti suksesin e parë. Një fitore e pastër në shifrat 3-1 kundër Tiranës. Tre pikë ne momentin e duhur që i shërben jo pak grupit të lojtarëve, për t’u dhënë kurajë dhe optimizëm.
Luftëtari me makthet e fillimit sezonit të kaluar. Gjirokastrit në tre ndeshje të luajtura asnjë pikë e grumbulluar. Situatë e rëndë nga e cila kërkohet të dilet sa më shpejt. Bluzinjtë gjithashtu mund të përfitojnë nga ndeshjet e kombëtares, për të analizuar me kujdes se ku po çalon skuadra.
Drejtuesit e Kamzës nuk preferuan të prisnin gjatë dhe pas disfatës së dytë radhazi, ndryshuan trajner duke larguar Bledar Devollin dhe afruar Klodian Duron.
Ish-numri një i stolit të Kukësit duhet të ndihet me fat, pasi ka gjithë kohën e nevojshme për të punuar qetësisht me grupin e lojtarëve dhe për t’u injektuar atyre idetë e tij.