Opinion nga Roland ÇOMO

E kam ngritur herëpashere këtë shqetësim dhe mendoj se është zgjidhja më e mirë nëse duam që futbolli shqiptar të ecë përpara. Unë uroj që në sezonin e ardhshëm, klubet shqiptare të privatizohen 100%, por duke iu referuar gjendjes aktuale është mire që Bashkia apo aksionerë të mundshëm që mund të afrohen pranë saj, të jenë të kujdesshëm në përpilimin e kontratave qoftë me lojtarët apo dhe me trajnerët ku në rradhë të parë t’ u jepet përparësi edhe objektivave afatgjate për ngritjen e një ekipi model dhe të mos ndikohen nga dritëshkurtësia e zgjidhjeve emergjente. Të mos nxitohen më që nesër përsëri të gjenden përpara faktit që paguan një trajner apo lojtar edhe pse ai nuk ofron më shërbimet e tij pranë Vllaznisë, gjithashtu të mos gjendemi përballë deklaratave të trajnerëve që të thonë se unë kam një kontratë për të zbatuar dhe do t’i qëndroj deri në fund dhe për shkak të këtyre gafave juridike të mos fshihet paaftësia e tyre për të drejtuar Vllazninë dhe të përmendin në formë presioni datat e skadencës së kontratave. Besoj që të gjithë specialistët me një ekip si Vllaznia e Shkodrës janë të bindur që trajnerit duhet t’i vihet një kusht që objektivi i klubit duhet të jetë tre vendet e para ose Kupa e Shqipërisë dhe nëse ky nuk është i bindur të thotë që në fillim se këto nuk arrihen. Nuk duhet më të pritet fundi sezonit dhe të zihen ngushtë, por nëse ka mangeëi në rezultate, trajnerit “t’i tregohet dera”.