Përfundimi i fazës së rregullt të Superiores dhe caktimi i finalisteve të Kupës së Shqipërisë ka bërë tashmë të qartë se cilat janë katër skuadrat që do të përfaqësojnë vendin tonë në aktivitetet e UEFA-s gjatë verës.
Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Partizani janë katër ekipet të cilat do të nisin rrugëtimin në turin e parë të fazës eliminatore, me njërën që si kampione do të shkojë në Ligën e Kampioneve dhe tre të tjerat në Ligën e Konferencës.
Partizani është skuadra me koeficientin më të lartë në UEFA, pasi ka vlerën 6,5. Të kuqtë ndiqen nga Vllaznia me 5, Egnatia me 2,5 dhe Dinamo me 1,375. Kjo e fundit nuk ka pikë në arenën ndërkombëtare, ku llogariten vetëm 5 edicionet e fundit, ndaj përfaqësohet me koeficientin e Superiores.
Qartësisht, me një koeficient të tillë, në Ligën e Kampioneve cilado të dalë fituese e kampionatit, do të renditet në vazon e skuadrave të dobëta. Ndërsa në Ligën e Konferencës, Partizani dhe Vllaznia do të jenë në short në vazon e ekipeve të forta të paktën në turin e parë.