Agron Çela dhe Fatos Gjyrezi do të jenë dy drejtuesit e klubit Vllaznia. I pari do të përfaqësojë biznesmenët që do të investojnë në ekip, ndërsa i dyti Bashkinë e Shkodrës. Nga sa bëhet e ditur, deri në datën kur kjo marrëveshje do të funksionojë (fundi i sezonit 2014-2015), bashkia në rast largimi të saj nga klubi shkodran do ta zbatojë me përpikëri kontratën, gjithmonë sipas asaj që mësohet të jetë shkruar në këtë draft. Bëhet fjalë për 40 % të shpenzimeve në klub. Nga ana tjetër, nëse donatori Çela apo grupi i biznesmenëve që ai drejton do të tërhiqen para përfundimit të kontratës, atëherë do të paguajnë shumën prej 60%. Dy ditët e ardhshme do të jenë përcaktuese për marrëveshjen që mund të arrihet mes Bashkisë së Shkodrës dhe biznesmenit Agron Çela, gjithnjë për sa i përket kalimit të klubit shkodran në një tjetër formë funksionimi. Çela do të ulet në postin e kreut të këtij klubi pas afro 7 vitesh. Sipas akordit që është arritur në parim mes palëve, Çela do të drejtojë klubin deri në fundin e sezonit 2014-2015. Në fakt, klubi mësohet se do të funksionojë me dy administratorë me të drejtë firme, por me një përparësi 60% me 40% të biznesmenit Çela. Mirëpo, mbeten ende për t’u sqaruar disa detaje, deri në konkretizimin e marrëveshjes mes palëve.
ADMIR URUÇI