Drejtësia portugeze ka ngritur një padi kundër Benficas dhe ish-drejtuesve të klubit për vepra korrupsioni të kryera ndërmjet viteve 2016 dhe 2019 me qëllim rregullimin e ndeshjeve, raportojnë mediat portugeze.

Zyra e prokurorit publik ngriti akuza kundër ish-presidentit të klubit Luis Filipe Vieira dhe ish-këshilltarit të tij ligjor Paulo Goncalves, si dhe ish-drejtorëve të Vitoria de Setubal, për vepra të dyshuara penale të korrupsionit dhe mashtrimit tatimor.

Benfica akuzohet për korrupsion aktiv në lidhje me veprën penale të ofrimit të pahijshëm të avantazheve dhe mashtrimit tatimor. Vitoria de Setubal u akuzua për korrupsion pasiv në lidhje me krimin e përfitimit të një avantazhi të pajustifikuar dhe mashtrim të rëndë tatimor.

Sipas aktakuzës, Vieira, i cili drejtoi klubin për 18 vjet, deri në arrestimin e tij në korrik 2021, si pjesë e një rasti tjetër që lidhet me mashtrimin, ka rregulluar transferime lojtarësh me Vitorian për të përfituar financiarisht klubi nga Setubal. Në këmbim, Vitoria i lejoi Benficas dy ndeshje të kampionatit.

Benfica thuhet se i ka paguar 1.3 milion euro Vitorias përmes marrëveshjeve të blerjes dhe huazimeve të lojtarëve.Avokati Paulo Goncalves mohoi akuzat e prokurorisë së shtetit, duke i vlerësuar ato si “surreale” dhe pa “bazë ligjore”.

“Kjo akuzë është surreale dhe e bazuar në një teori pa bazë faktike dhe ligjore. Në fakt, asnjë nga procedurat e përshkruara aty nuk përbën vepër penale, aq më pak vepër penale të korrupsionit”.

“Në asnjë moment nuk i kemi tejkaluar funksionet dhe udhëzimet që më janë besuar në atë kohë”, ka reaguar Goncalves në një deklaratë.

Ai i dha këshilla ligjore Benficas midis viteve 2007 dhe 2018.

Prokuroria kërkoi që, në rast dënimi, Vieira të ndalohej nga ushtrimi i çdo funksioni sportiv për pesë vjet dhe Benfica të përjashtohej nga garat sportive.

Klubi tha se dyshimet lidhen me aktet që i atribuohen ish-presidentit dhe ish-këshilltarit të tij.

“Benfica do të mbrohet, pa hezitim, kundër të gjitha akuzave të pabaza”, shkruhet në deklaratën e klubit të Benficas. /Telegrafi/