Cristian Shpendi është kthyer në një nga lojtarët më të përfolur ditët e fundit në Itali. Sulmuesi i cili është aktivizuar më parë me Shpresat kuqezi, por i injoruar nga Sylvinho në Kombëtaren A edhe pse po kalon një formë të mirë, ka fituar vëmendjen në Serie A.

Shumë ekipe janë vënë pas sulmuesit që momentalisht aktivizohet me Cesena në Serie B. Teksa së fundmi është Fiorentina skuadra që ka marrë seriozisht misionin për të transferuar Shpendin dhe për ta bërë të tyrin.

Sipas mediave italiane dhe ish-menaxherit të Fiorentinës, Roberto Ripa, klubi vjollcë ka ofruar 10 milionë euro për Shpendin. Në krahun tjetër, Cesena nuk dëshiron që ta shesë në merkaton e dimrit dhe po pret atë të verës për të ndarë rrugët me 21-vjeçarin.

Kujtojmë që sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer deri më tani në këtë sezon. Në 15 ndeshje mes Serie B dhe Kupës së Italisë, Shpendi ia ka dalë që të shënojë plot 10 gola./newsport/