Armando Broja do të luajë sot ndeshjen e tij të fundit si lojtar i Fulham-it. Sulmuesi shqiptar do të përfundojë kështu huazimin e tij në “Craven Cottage”, për t’u rikthyer në radhët e Chelsea-t.

Blutë e Londrës planifikojnë të shesin kartonin e Brojës në këtë merkato verore, teksa kanë nevojë për të ardhura në mënyrë që të jenë në përputhje me rregullat e “fair play”-t financiar.

“The Sun” bëri me dije disa ditë më parë se Borussia e Dortmundit ishte në bisedime të përparuara për transferimin e Brojës. Por gjermanët nuk janë i vetmi ekip që synon shërbimet e sulmuesit shqiptar.

“Give Me Sport” raporton se Wolverhampton-i është i gatshëm të transferojë 23-vjeçarin në rast se Chelsea është i hapur ta shesë për shifrën e 35 milionë paundëve. Klubi i Premier League-s ka shfaqur edhe më herët interes për Brojën.

Madje, në merkaton e janarit ishte në garë deri në ditën e fundit me Fulham-in për të huazuar lojtarin e Kombëtares kuqezi./Sport Ekspres/