Laçi ka bërë ndryshime të mëdha këtë verë, jo vetëm në përbërje të skuadrës, duke e krahasuar me sezonin e fundit, por e njëjta gjë ka ndodhur edhe me stafin teknik.

Përveç Stavri Nicës në rolin e kryetrajnerit nga kampionati i kaluar, në klubin kurbinas nuk ka mbetur asnjë nga ndihmësit e tij. Zv.trajneri Klevis Hima dhe përgatitësi i portierëve, Kastriot Rama, nuk janë më pjesë e stafit teknik.

Në vend të tyre, drejtuesit kanë emëruar ish-sulmuesin kurbinas, Eduard Tanushi, si dhe ishportierin Mario Bytyçi, të cilët kanë kontribuar më parë për ekipin si futbollistë. Të dy janë njohje të vjetra të Nicës dhe tashmë bashkëpunëtoret më të afërt të tij.

Nga ana tjetër, në ditët e fundit te kurbinasit ka pasur edhe një lëvizje sa i përket rolit të përgatitësit atletik, teksa presidenti Laska ka afruar një emër të njohur si Vullent Manushi, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Egnatias, ndërsa më parë ka punuar te Kukësi.

Por, lëvizje nuk mbarojnë këtu, pasi afër klubit gjatë ditëve të fundit është parë edhe ish-sulmuesi Julian Malo. Nuk dihet ende se cili është roli i tij, por fakt është se në miqësoret që Laçi ka zhvilluar në javët e fundit, Malo ka qenë i pranishëm në pankinë.