Thomas Brdariç ka shprehur dëshirën për të rinovuar me klubin e Vllaznisë dhe gjasat janë që kjo të ndodhë shumë shpejt.

Presioni është i madh për ta finalizuar këtë marrëveshje, pasi për trajnerin ka interes nga klube shqiptare, ku së fundmi i është shtuar edhe Kukësi, pas një bisede të bërë nga ish-lojtari kroat, Pero Pejiç, që pritet të marrë post te verilindorët me Brdariçin. Ballkani në Kosovë e ka hedhur dorashkën, duke i ofruar 80 mijë euro në sezon trajnerit të Vllaznisë.

Interesim thuhet se ka edhe nga Polonia dhe Zvicra për Brdariçin. Ka pasur një takim gjatë ditës së djeshme me sponsorin e klubit, Alban Xhaferin, i cili mendohet se do të jetë edhe pronari i ri Vllaznisë, dhe katër kanë qenë kushtet kryesore të teknikut gjerman për të rinovuar.

Gazeta “Panorama Sport”, nga burime të sigurta pranë klubit shkodran, ka arritur të zbulojë se cilat kanë qenë kërkesat kryesore të trajnerit.

1) Të shlyhet plotësisht për të gjitha pagat dhe premiot e përcaktuara në kontratën që kishte me Vllazninë për sezonin që shkoi. Për shkak të procedurave burokratike (sepse është klub bashkie), trajneri deri dje nuk kishte marrë të gjitha çfarë i takonin nga sezoni që sapo u mbyll.