Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës për kampionat të dielën me Bylisin. Për këtë duel, klubi kuqeblu publikoi çmimet e biletave dhe tribunat se ku do të shiten ato.

Megjithatë, ajo që ra në sy ishte fakti që klubi i Vllaznisë nuk ka nxjerrë bileta në shitje për tribunën e ultrasve, C5. Menjëherë pas këtij njoftimi, kanë reaguar edhe grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras” me një komunikatë në rrjetet e tyre sociale.

“Vetëm në C5. Të dielën luajmë ndeshjen e rradhës kundër Ballshit. Ora 17:00! Grumbullimi jonë fillon në 15:00 te Salla e Lojërave.

Shallin në qafë e shokët për krah! Fundjava është e Vllaznisë! Asgjë nuk na ndal në rrugën tonë. Forca Vllaznia! Forca Vllaznit!”,-shkruajnë në reagimin e tyre grupimi “Vllaznit Ultras”.

Tashmë, mbetet për t’u parë nëse klubi Vllaznia do ta hapë tribunën e ultrasve për ndeshjen ndaj Bylisit.
Maringlen ZHIVANI