www.shkodrasport.com
Klubi shumësportësh Vllaznia drejt shkrirjes. Tashmë vetëm shoqata
Klubi shumësportësh Vllaznia pas qershorit të vitit 2012 nuk do të funksionojë më. Ky klub nuk do ketë më administratë dhe ekipet sportive pas kësaj periudhe do funksionojnë vetëm si shoqata ose shoqëri aksionere. Lajmi konfirmohet nga drejtues të Bashkisë Shkodër, madje kjo është e parashikuar edhe në buxhetin dhe prioritetet e këtij institucioni për këtë vit. Pushteti lokal në këtë mënyrë, po kërkon të zbatojë legjislacionin sportiv të vendit tonë që e bën të domosdoshëm shndërrimin e klubeve sportive në njërën nga dy format e mësipërme. Ajo që ndodhi me futbollin, tashmë do pasohet edhe me gjithë sportet e tjera. Por nëse futbolli është kthyer në një industri të madhe që prodhon edhe para, për sportet e tjera ka shumë dilema për funksionimin e tyre. Me shumë mundësi, asnjëri prej sporteve nuk do shndërrohet në shoqëri aksionere sepse askush nuk ka interes për ta bërë një gjë të tillë. Për këtë arsye, zgjidhja më e mundshme do jetë kalimi në shoqata sportive. Sipas kësaj logjike, basketbolli do ketë shoqatën e vet, e po kështu edhe volejbolli, atletika, boksi, peshëngritja dhe gjithë sportet e tjera. Lind pyetja: Po Bashkia çfarë kontributi do ketë tani e tutje? Ndonëse ende jo zyrtare, bëhet e ditur ky institucion do vazhdojë t’i financojë këto sporte ashtu siç ka bërë deri më tani por veçse do ketë një ndryshim. Fondet tani e tutje nuk do kalojnë më në klubin shumësportësh Vllaznia pasi ai nuk do funksionojë më, por në numrat e llogarive të shoqatave përkatëse pas projekteve që këta të fundit do paraqesin në Bashki për aktivitetet e tyre. Ekziston mundësia që disa prej sporteve që nuk do gjejnë sponsor edhe të zhduken ndërsa kjo mënyrë funksionimi do jetë më e mirë për disa të tjerë që krijojnë të ardhura. Mosfunksionimi më i klubit Vllaznia, do të çojë rrjedhimisht në fuqizimin e zyrës së sporteve pranë Bashkisë Shkodër dhe shtimin e saj edhe në personel, që do shërbejnë për kontrollimin dhe funksionimin e këtyre shoqatave. Megjithatë, në Bashki janë duke studiuar mirë këtë projekt të shndërrimit të klubit Vllaznia duke parë një e nga një ligjet dhe mënyrën e zbatimit të tyre. Ajo që është e sigurtë, ka të bëjë me faktin se në fund të verë, nuk do ketë më klub shumësportësh Vllaznia. Pas 93 vitesh ekzistencë tash do jetë një mënyrë tjetër organizimi dhe jo më klub sportiv.