Ka ardhur më në fund edhe vendimi i drejtuesve të Bashkisë Shkodër për të nxjerrë në pension sekretarin e klubit shumësportësh Vllaznia Gëzim Mema. Ky i fundit kishte më tepër se një vit e gjysëm që kishte plotësuar moshën e daljes në pension por ishte mbajtur në punë nga Bashkia ngaqë ajo kishte në plan riorganizimin e këtij klubi.Për të mos emëruar ndonjë tjetër provizorisht ishte shtyrë kjo gjë. Megjithatë, që nga data 3 janar atij i është bërë e ditur se i është ndërprerë marëdhënia financiare me klubin. Në fakt vetë z. Mema ka pritur një njoftim apo komunikim zyrtar nga ndonjëri prej drejtuesve të këtij institucioni ngaqë edhe vetë ai është zyrtar i vjetër dhe ndoshta meritonte diçka më tepër në këtë rast por nuk ka ndodhur kështu. Bashkë me Gëzim Memën, ka mbushur moshën për të dalë në pension edhe një tjetër pjestar i këtij klubi, inspektori i tij Ismail Kombi.Ky i fundit ka qenë një nga personat më të dashur për të gjithë në klubin Vllaznia, një njeri shumë i rregullt dhe i respektuar nga të gjithë. Dalja në pension e këtyre dy figurave natyrisht që mund të ketë ndikimin e vet tek klubi shumësportësh Vllaznia. Por pritet që ata të mos zëvendësohen për momentin ngaqë Bashkia po mendon shkrirjen e këtij klubi dhe disa prej pjestarëve të tij do t’i shtohen zyrës së sporteve që ndodhet pranë këtij institucioni.
www.shkodrasport.com