Pas ndeshjes së parë të luajtur në Shkodër të premten dhe që u fitua nga vendasit, nesër (e marte) do të luhet ndeshja e dytë e turit gjysmëfinal të play off-it për kampionatin kombëtar të basketbollit për të rritur në mes Klubit Tirana dhe Vllaznisë. Kjo e fundit duket më e qetë në këtë mes pasi e ka fituar ndeshjen e parë megjithatë do të kërkojë që gjithçka ta zgjidhë që sot për të mos e lënë fatin e kualifikimit për në finale për ndeshjen e tretë ditën e premte. Trajneri Bledar Gjeçaj pikërisht këtë do të kërkojë nga skuadra e tij. Ajo ka fituar gjysëmfinalen e parë me rezultatin 78-66 por siç u pranua nga të gjithë, nuk ka qenë ndeshja më e mirë e Vllaznisë. Nëse ajo del në lojën e saj ashtu siç duhet, patjetër që do të fitojë edhe nesër. Për të mbështetur ekipin e Vllaznisë në këtë ndeshje, drejtuesit e shoqatës së basketbollit, bëhet e ditur se kanë vënë në dispozion një autobuz për tifozët që duan të udhëtojnë drejt kryeqytetit. Ai do niset pasdite pranë pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Ndërkohë bëhet e ditur se ndeshja me Klubin Tirana do të luhet në orën 19.00 të ditës së nesërme (e martë) në sallën sportive “Fahirje Hoti”. Para kësaj ndeshje, presidenti i shoqatës së basketbollit Vllaznia Sokol Dibra duke folur për mediat, ka thënë: “Investimi i bërë pikërisht këtë qëllim ka patur për ne. Të sigurojmë daljen në finale fillimisht dhe pastaj të tentojmë edhe titullin kampion. Ne do bëjmë maksimumin tonë në këtë drejtim dhe shpresoj që t’ia dalim. Ndërkohë, për sezonin tjetër ne kemi një projekt për kthimin e shkodranëve që luajnë në ekipet e tjera sepse ata do jenë baza e ekipit tonë dhe jo të huajt siç ndodhi këtë sezon”.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)