Klubi i Menemenspor në Turqi duket se është vënë pas çdo futbollisti ofensiv që ka spikatur në Kategorinë Superiore në edicionin e fundit.
Skuadra turke, pjesë e të cilës janë Gentian Selmani dhe David Domgjoni, monitoron prej kohësh kampionatin tonë dhe vazhdimisht përflitet se ka piketuar lojtarë të tjerë që mund të përforcojnë radhët e saj.
Më i fundit është ai i Silvio Zogajt. Sulmuesi i talentuar i cili vitin e fundit luajti me Vllazninë në Kategorinë Superiore, shihet si një element të cilin stafi teknik i Menemenspor ia ka këshilluar klubit për ta afruar, nëse do të arrihet një marrëveshje mes palëve.
Klubi është i orientuar dukshëm drejt afrimit të futbollistëve cilësorë në fazën ffensive, me lojtarë krahu apo sulmues dhe këtë e konfirmoi edhe trajneri Cenk Laleci në intervistën e fundit.
“Kemi shumë lojtarë në listën e dëshirave, është një listë e gjatë. Ne do të përzgjedhim më të mirët mes këtyre emrave.
Prioriteti ynë është të marrim sulmues dhe lojtarë krahu, do të përforcohemi në këto reparte sa më parë që të jetë e mundur”, ishin fjalët e teknikut që ka kthyer Superioren në objektivin kryesor të merkatos së klubit të tij. /vipsport/