Shpenzimet e llogaritura nga drejtuesit e shoqërisë aksionere Vllaznia nga muaji gusht kur është krijuar ajo dhe deri në fund të dhjetorit të këtij viti janë afro 400 milionë lekë të vjetra. Ose më saktë, 388.586.000 lekë të vjetra. Një shifër kjo e konsiderueshme e cila natyrisht që do pasohet edhe nga po aq në janar të vitit të ardhshëm dhe buxheti i Vllaznisë për një sezon futbollistik, logjikshëm do të shkojë rreth 800 milionë lekë. Kuptohet pa bërë “marrëzira” në merkaton e janarit por thjesht duke ecur me këtë ritëm dhe me shpenzimet aktuale.
Në 400 milionët e llogaritur në këto momente dhe të miratura edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkia të Shkodrës, futen edhe disa pagesa të prapambetura të futbollistëve dhe stafit për muajin gusht, periudhë kur ishte ende president Valter Fushaj. Po ashtu futen edhe disa këste kontratash që janë dhënë pikërisht nga drejtuesit e Bashkisë në këtë fillim-sezoni. Gjithashtu nuk janë të llogaritura disa shumë të shpenzuara nga ish-presidenti për ndonjë këst për lojtarë të veçantë apo dhe ndonjë shpenzim tjetër. Shuma prej 800 milionë lekësh të vjetra që llogaritet të shpenzohet për një sezon është shumë më tepër ndoshta nga sa kanë menduar drejtuesit e Bashkisë në fillim sepse sipas idesë së tyre, ish-presidenti Fushaj nuk ka shpenzuar më shumë se 400-50 milionë në një sezon. Të ardhurat ndërkohë janë po ato, për të mos thënë më pak ndoshta aktualisht dhe kjo e bën të domosdoshme sërish transferimin e të tjera fondeve nga arka e Bashkisë në atë të shoqërisë aksionere Vllaznia.