Klubi Vllaznia dënohet 1 vit nga Federata Shqiptare e Boksit
Klubi shumësportësh Vllaznia nuk do të ketë të drejtë të organizojë asnjë aktivitet boksi për një periudhë njëvjeçare. Ky është vendimi që ka marrë kryesia e Federatës Shqiptare të Boksit në mbledhjen e saj të djeshme teksa ka analizuar edhe incidentet e ndodhura në ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë, të zhvilluara pak ditë më parë në qytetin tonë. Goditja e kryegjyqtarit të këtyre finale, natyrisht që ka bërë jo pak bujë, aq më tepër që ndodhi në një qytet si Shkodra e cila nuk është shquar për veprime të tilla. Pikërisht ai incident bëri që ndeshjet finale të mos shkojnë deri në fund. Për rrjedhojë, këto veprime të ndodhura bënë që mbledhja e rradhës e kryesisë së kësaj federate të ndalej gjerësisht në këtë rast. Të gjithë kanë qenë të mendimit se duhej marrë një masë dhe në fund është vendosur që për një periudhë 12 mujore Shkodra të mos ketë të drejtën e organizimit të asnjë aktiviteti boksi. Natyrisht që ky është një ndëshkim I madh por me shumë mundësi pjestarët e ekipit të boksit do jenë të detyruar ta pranojnë duke qenë fajtor për atë që ndodhi. Ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë në fakt pritej të nxirrnin fituese Vllazninë për të 19-tën herë megjithatë nuk ndodhi kështu për shkak të ndërprerjes së tyre. Pas këtij momenti, ka patur edhe një debat të ashpër në shtypin e shkruar në mes njërit prej gjyqtarëve të këtij sporti dhe trajnerit të Vllaznisë Zef Gjoni megjithatë duket se gjithçka është mbyllur këtu. Vendimi për të mos zhvilluar asnjë aktivitet në Shkodër për një periudhë 12 mujore, I ka dhënë fund kësaj historie.