Vetë luan në një kampionat më inferior ku ndoshta edhe problemet janë më të mëdha, por kurrsesi nuk e heq vëmendjen nga Kategoria Superiore. Padyshim që vendi i saj është aty dhe për këtë arsye, Vllaznia ndjek me vëmendje gjithçka ndodh në futbollin shqiptar.
Për këtë arsye, sot klubi shkodran ka dalë edhe me një deklaratë për shtyp ku ka dënuar dhunën që po vërehet javët e fundit në futbollin shqiptar, e po ashtu i ka dalë në mbështetje FSHF-së në kërkesën e saj për rikthimin e policisë së shtetit sërish nëpër stadiume.Ja deklarata e klubit Vllaznia:
DEKLARATË PËR SHTYP
KF Vllaznia si pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar, nuk mund të pajtohet kurrsesi me aktet e dhunës që po vërehen javët e fundit në futbollin shqiptar. Në veçanti, KF Vllaznia dënon dhunën e ushtuar ndaj arbitrit në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore, Kamza- Laçi.
Njëkohësisht, mbështesim kërkesën e FSHF-së për rikthimin e Policisë së Shtetit sërish në stadiume sepse duke parë kushtet ku ndodhet Shqipëria, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet mbarëvajtja e futbollit shqiptar.
KF VLLAZNIA