Ndryshe nga sa është shkruar sot në media, tek Vllaznia ende nuk ka mbërritur asnjë vendim përfundimtar i FIFA-s për detyrime të prapambetura ndaj ish- futbollistëve të saj. Thjesht, janë hapur dy procese për të cilat ende nuk ka një vendim të marrë. Ky është sqarimi i dhënë pasditen e sotme nga vetë klubi shkodran i cili pranon të ketë dy procese të hapura por për të cilat ende nuk ka vendim sepse institucioni i futbollit botëror është duke mbledhur prova nga palët përkatëse.
Pikërisht për këtë, mësohet se krerët e klubit Vllaznia janë duke përgatitur dosjet përkatëse që do t’i depozitojë në FIFA brenda pak ditësh. Në sqarimin e bërë prej tyre, thuhet se pretendimet e ish- futbollistit Mohamak Kdouh dhe ish-zëvendëstrajnerit Davide Belotti janë të ekzagjeruara në ato çfarë kërkojnë. Ja sqarimi i plotë i klubit shkodran:
Sqarim
Ditën e sotme në një media të shkruar është botuar një lajm në të cilin thuhej se në zyrat e KF Vllaznia kanë mbërritur dy vendime të FIFA-s për pagesa të detyrueshme në drejtim të dy ish- futbollistëve të saj.
Sqarojmë se:
Së pari, në zyrat tona nuk ka një vendim të marrë nga organet përkatëse të FIFA-s. Ajo që mund të bëjmë të ditur është se ekzistojnë dy padi të dy ish- pjestarëve të Vllaznisë të cilët kanë hapur proceset e tyre gjyqësoredhe kërkojnë të drejtat e tyre. Për këtë arsye, jemi njoftuar nga FIFA dhepo bëjmë mbrojtjen tonë. Bëhet fjalë për futbollistin Mohamad Kdouh dhe zëvendëstrajnerit Davide Belotti. Të dy ata kanë ngritur pretendimet e tyre për kontratat që kanë patur me KF Vllaznia, por në mënyrë disi të çuditshme pasi ato kërkojnë të paguhen edhe për periudhën kur nuk kanë qenë fare në Shkodër. Kuptohet që për këtë ne nuk mund të jemi dakord dhe po punojmë që argumentat tona t’ia paraqesim FIFA-s në ditët e ardhshme duke besuar se organet e saj do të marrim vendimet e duhura.
Këto janë çështjet e vetme për të cilat ka nisur procedura dhe nuk bëhet fjalë për
çështje të futbollistëve, emrat e të cilëve janë përmendur në media sepse ato janë likujduar prej kohësh nga KF Vllaznia.
KF Vllaznia