Pasditen e sotme në ambjentet e Grand Hotel “Europa” do të zhvillohet ceremonia e shpalljes së “10 sportistëve më të mirë të vitit 2011” për klubin shumësportësh Vllaznia. Ky është një ritual i përvitshëm i drejtuesve të këtij klubi, që në dallim nga klubi i futbollit që i harron sportistët e tij, ai i vlerëson me këtë anketë por edhe me çmimet që jep. Përzgjedhja e 10 sportistëve më të mirë është bërë pas një ankete të organizuar ku në votim kanë marrë pjesë të gjithë trajnerët e klubit si dhe gazetarët sportivë. Ndonëse ceremonia do zhvillohet sot pasdite në orën 17.00, gazeta “Shkodra Sport” ka arritur të zbulojë emrat e këtyre 10 sportistëve më të mirë. Ata janë pikërisht Erkand Qerimaj e Marjan Bregu nga sporti i peshëngritjes, Kristian Demaj dhe Asmer Bilali nga boksi, Albert Marashi, Elvedin Meti dhe Izmir Smajlaj nga sporti i atletikës, Aurora Shkoza nga sporti i xhudos, Atrid Miloti nga sporti i volejbollit dhe Gjon Ndoja nga basketbolli. Kjo është 10-shja e më të mirëve që do nderohet sonte ndërkohë që drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia kanë vendosur të nderojnë me çmime të ndryshme edhe disa prej ish-sportistëve të dalluar në vite të këtij sporti dhe ndër emrat e parë që merren vesh për nderim janë ato të Oltion Lulit, Beniamin Idrizit, Astrit Zaganjorit etj.
www.shkodrasport.com