Evidentimi i dy rasteve të para të infektuar me Koronavirus në vendin tonë ka bërë që shumë veprimtari të pezullohen, ndërsa aktivitet futbollistike të paktën deri më tani janë vendosur të luhen me dyer të mbyllura.
Nga ky njoftim ato që janë penalizuar më shumë janë tifozët e Skënderbeut që prisnin në shtëpi Kukësin, si dhe ato të Vllaznisë që kishin blerë bileta për të mbështetur ekipin ndaj Partizanit. Por, tashmë spektatorët nuk mund të jenë të pranishëm në dy ndeshjet e pasdites.
Megjithatë, klubi shkodran e ka gjetur një zgjidhje për të mos i zhgënjyer tifozët e saj, teksa nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare të klubit në rrjetet sociale kanë theksuar se biletat që kanë dalë jashtë përdorimi për ndeshjen ndaj Partizanit, do të mund të përdoren në takimin e radhës që shkodranët do luajnë me tifozë në Loro Boriçi.
Kjo shihet edhe si e vetmja mënyrë për të mos lënë të pakënaqur tifozët, ndërsa të gjithë në këtë moment duhet të mendojnë para së gjithash për sigurinë e shëndetit. /VipSport/