Shkresat e ardhura në klubin shkodran që bëjnë fjalë për bllokimin e numrave të llogarisë të saj për shkak të vendimit të marrë nga Dhoma e Arbitrazhit Tregtar që i ka dhënë pjesërisht të drejtë kompanisë zviceriane “Gea Sport”, natyrisht që kanë vënë në lëvizje drejtuesit e tij. Burime nga klubi kuqeblu tregojnë se vendimi për sekuestron e llogarive bankare për shkak të një detyrimit prej 74 mijë eurosh ndaj kompanisë “Gea Sport” është apeluar në gjykatën e apelit. Shumë shpejt pritet që të zhvillohet edhe seanca e parë gjyqësore për të parë më pas se cili do të jetë vendimi i formës së prerë. Natyrisht që klubi shkodran e quan krejtësisht të pabazë jo vetëm pretendimin e kompanisë zviceriane e cila në vend që të japë llogari për moszbatimin nga ana e saj të kontratës me klubin Vllaznia, e padit atë në gjyq! Po ashtu, klubi kuqeblu e quan të padrejtë edhe vendimin e Dhomës së Arbitrazhit Tregtar që i ka dhënë pjesërisht të drejtë “Gea Sport” kur kjo kompani për pesë muajt e qëndrimit në Shkodër nuk ka hedhur asnjë lekë në numrin e llogarisë së klubit kur në fakt duhej të paguante nga 35 mijë euro çdo muaj. Tashmë çështja ka shkuar më tej dhe kemi një vendim të parë. Për rrjedhojë, momentalisht klubi Vllaznia ka të bllokuara llogaritë e saj bankare dhe deri sa të ketë një vendim tjetër nuk mund të bëjë asnjë lëvizje. Ky është një tjetër problem që i shtohet atij dhe në fakt, këto problemet që janë mbledhur prej vitesh e kanë rënduar jo pak situatën por drejtuesit e tij shpresojnë t’ia dalin dhe pasi të mbyllet e gjithë kjo histori gjyqesh e përplasjesh, të nisë pastaj procesin e privatizimit të klubit.

© shkodrasport.com