www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE SPORTE TE TJERA Klubi Vllaznia nderon ish-sportistët e saj me titullin “Nderi i Sportit shkodran”
Klubi Vllaznia nderon ish-sportistët e saj me titullin “Nderi i Sportit shkodran”
Në mbrëmjen e shpalljes së më të mirëve, sigurisht që ka patur vend për nderime edhe për ata që kanë shkruar historinë e klubit shkodran vite më parë. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia, kanë nderuar me titullin e lartë sportiv “Nderi i sportit shkodran” shumë figura të njohura të sportit në vite. Kështu, nga sporti i boksit janë nderuar me këtë titull Kujtim Demi dhe Agron Bushati, nga sporti i atletikës Oltion Luli, Niko Laro dhe Isak Bala, nga sporti i basketbollit Afërdita Laçaj, Marin Shestani, Astrit Zaganjori dhe Beniamin Idrizi. Edhe nga sporti i volejbollit ka patur nderime teksa kanë marrë këtë titull Mark Krroqi, Eluiza Ndoci e Behije Rragami. Po ashtu janë nderuar edhe nga sporte të tjera figura si Xhelal Sukniqi, Ali Matlija etj. A ka patur rregull për këto nderime? Edhe po, edhe jo sepse ndoshta ndonjëri nga ata që u nderuan me këtë çmim, edhe nuk e meritonte para shumë figurave që kanë dhënë më tepër se to. Por e rëndësishme është që këta figura sportive u kujtuan nga klubi shumësportësh Vllaznia. Ndërsa ai i futbollit “fle”. Për më tepër, që në këtë mbrëmje ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku Luka që është edhe president i ekipit të futbollit dhe sigurisht që ai nuk do të jetë ndjerë mirë kur ka dorëzuar çmime vetëm për sportistët e shumësportëshit ndërsa ata të futbollit mbetën “jetimë”. Të paktën tek figurat sportive nuk duhej harruar kjo gjë sepse sot Bashkia Shkodër po bën vlerësimin e aseteve të klubit të futbollit dhe ndër to, ka vleërësuar me një çmim jo të vogël stemën e këtij klubi. Do ta vlerësojë me një çmim jo të vogël edhe historikun 92 vjeçar të Vllaznisë me kupat dhe trofetë e fituara. Prandaj është minimumi i mundshëm i respektit ndaj atyre njerëzve që luajtën dhe e nderuan këtë emër ndër vite, të nderohen me një “letër me ngjyra”, së cilës mund t’i vësh çdo emër por mbi të gjitha është shenjë respekti për ta dhe kjo është e pafalshme të harrohet.