Takimi që do të luajë ditën e dielë në Lushnjë ndaj skuadrës vendase, konsiderohet mjaft I rëndësishëm për Vllazninë. Ecuria e saj në dy ndeshjet e fundit, ka rritur entuziasmin edhe në rradhët e tifozëve kuqeblu të cilët duan që të jenë të pranishëm në “Roza Haxhiu” për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës në këtë sfidë mjaft të rëndësishme dhe njëkohësisht delikate për ecurinë e mëtejshme në kampionat. Kjo kërkesë e tyre është mirëpritur nga ana e drejtuesve të klubit të cilët I kanë vënë në dispozicion një autobus për udhëtimin drejt Lushnjës.
Bëhet e ditur se nisja e tij është planifikuar për të dielën në orën 10.30 pranë teatrit “Migjeni” dhe përveç grupimit të tifozëve “Vllaznit Ultras” edhe tifozë të tjerë që duan të udhëtojnë drejt Lushnjë, e kanë këtë mundësi. Sfida është shumë e rëndësishme dhe kuqeblutë kanë nevojë për mbështetjen e tifozëve. Në fakt, këta të fundit kanë treguar se janë pranë skuadrës dhe këtë e kanë shfaqur edhe në dy takimet e fundit të luajtura në Shkodër ndaj Partizanit dhe Skënderbeut kur kanë mbushur shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Për këtë arsye, prania e këtyre tifozëve edhe në takimin e rradhës në Lushnjë, do të jetë një nxitje më shumë për futbollistët në fushën e lojës. Trajneri Haxhiosmanoviç në fakt e ka konsideruar shumë të nevojshme praninë e tifozëve në çdo ndeshje të Vllaznisë sidomos në këtë fund- kampionati kur gara është bërë shumë e fortë dhe nuk lejohen gabimet. Skuadra shkodrane e ka bërë kthesën në kohën e duhur duke fituar ndaj Laçit dhe ndaj Skënderbeut dhe aktualisht ndodhet në vendin e shtatë në renditje, vend që kurrsesi nuk duhet ta lëshojë. Përkundrazi të tentojë të ngjitet edhe më lart sepse në fakt e meriton këtë gjë.
© shkodrasport.com