Që prej ditës së djeshme Klubi i Futbollit Vllaznia ka nxjerrë në shitje edhe abonetë e sezonit 2022-23. Në fakt një proces i tillë ka nisur pak me vonesë sepse tashmë kampionati ka nisur, por duket se klubi kuqeblu e ka patur një arsye.

Burime të ndryshme për “Shkodra Sport” bëjnë të ditur se drejtuesit kanë vendosur të lidhin një marrëveshje të re me një kompani tjetër që merret me procesin e prodhimit dhe shitjes së biletave.

Pikërisht kjo gjë i ka vonuar edhe nxjerrjen në shitje të aboneve por tashmë të interesuarit mund t’i sigurojnë ato si pranë stadiumit “Loro Boriçi” ashtu edhe në një pikë të re që është hapur në qendër të qytetit.

Nga sa është mësuar tashmë, çmimet janë të pranueshme përgjithësisht për 70 për qind të stadiumit. Kështu një abone në tribunë D (atë përkarshi) kushton 6500 lekë të reja për rreth 20-21 ndeshje që përfshi kampionati dhe Kupa e Shqipërisë.

Por klubi shkodran ka menduar për të bërë edhe zbritje teksa kushdo që e siguron abonenë brenda datës 26 gusht, do të përfitojë një zbritje prej 15 % të vlerës së saj. Çka do të thotë se vlera e saj do të zbresë në 5500 lekë.

Një shifër e tillë për një numër të konsiderueshëm ndeshjesh është shumë e pranueshme. Ndërkohë, një abone në tribunën C (atë pas porte që preferohet nga ultrasit), kushton 3200 lekë dhe nëse e paguan shpejt, me zbritjen që përfiton do të paguajë rreth 2700 lekë.

Ajo që vërehet është se drejtuesit e klubit kanë reflektuar në krahasim me sezonin e kaluar duke ofruar çmime më të lira për tifozët në tribunat C dhe D ku janë shumica e tyre, ndërkohë që për tribunën VIP kuptohet që çmimet janë më të shtrenjta./SHKODRA-SPORT.COM/