Ndeshja e së hënës me Teutën konsiderohet e një rëndësie të veçantë në kampin shkodran.
Skuadra ndodhen në vendet e fundit të tabelës së renditjes dhe kush fiton këtë takim padyshim që do të hedhë një hap të rëndësishëm për largimin nga kjo zonë dhe “zhytjen” aty të skuadrës tjetër.
Drejtuesit e Klubit Vllaznia duke i kushtuar rëndësi këtij takimi, kanë marrë vendimin që ekipi të grumbullohet jo një natë përpara siç ndodh zakonisht, por dy.
Pra, kuqeblutë do të zhvillojnë edhe stërvitjen e pasdites së nesërme në Shkodër dhe menjëherë pas saj do të marrin rrugën drejt Barbullushit për t’u sistemuar në ambjentet e “Gardenland Resort”, aty ku do të qëndrojnë deri të hënën rreth orës 16.00.
Orar kur do të nisen për në stadiumin “Loro Boriçi” për të luajtur ndeshjen ndaj Teutës. Një vendim i tillë padyshim që tregon më së miri rëndësinë që i është kushtuar kësaj ndeshje të cilën duan ta kalojnë me sukses.
© shkodrasport.com